VMRO me kritika të tjera për Korridoret: Gjysmë miliard euro akoma pa filluar punimet

VMRO me kritika të tjera për Korridoret: Gjysmë miliard euro akoma pa filluar punimet

Gazetare: Fatlume Dervishi

Miliona euro të shpenzuara nga buxheti për një projekt të cilin nuk e kemi parë akoma, thotë kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, duke komentuar pagesën e penaleve dhe paradhënieve për ndërtimin e autostradave të Korridoreve 8 dhe 10D.

“Besoni ose jo, do të vijmë deri te numri prej afër gjysmë miliard euro gjë që deri në këtë moment, deri më sot, janë marrë si detyrim kurse asnjë gozhdë nuk është vendosur. Afër gjysmë miliard euro… Për ndryshe, në bazë të detyrimeve që dalin nga marrëveshja dhe penaleve nga marrëveshja vijmë deri te numri prej 230-250 milion euro deri më 30 prill kurse tashmë janë paguar më shumë se 7 miliard denarë që është afër 117 milion euro dhe akoma asnjë gozhdë s’është vendosur”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Reagimi i Mickoskit është në vazhdën e reagimeve të dy javëve të fundit për marrëveshjen e shtetit me kompaninë ndërtuese Behtel-Enka të cilën deri tani nuk e kanë parë as deputetët me certifikatë sigurie. Prokuroria për krim të organizuar dhe Antikorrupsioni, tashmë mbledhin të dhëna për procedurat. Nga LSDM-ja thonë se akuzat e opozitës janë gënjeshtra.

“VMRO-DPMNE, e cila është tërësisht peng i Të majtës pro-ruse, për arsye politike dhe fitimprurëse po udhëheq një fushatë kundër ndërtimit të korridoreve dhe kundër Bechtel-it, të bazuar në gënjeshtra dhe të pavërteta. Partia e udhëhequr nga Hristijan Mickoski është e fundit që mund të flasë për ndërtimin e autostradave, sepse VMRO-DPMNE është simbol për provizione, për projekte të dështuara në dëm të shtetit dhe qytetarëve”, thonë nga LSDM.

Portali MKD.mk ka kërkuar qëndrim nga zyrat e BE-së për reagimet që lidhen me projektin. Ata thonë se ndjekin me kujdes situatën.

“BE-ja po ndjek me kujdes zhvillimet në këtë çështje. Ne po kërkojmë informacion shtesë për të kuptuar më mirë situatën. BE rikujton rëndësinë e respektimit të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Asociimit dhe Stabilizimit, si dhe përputhshmërinë me ligjet e BE-së në kontekstin e procesit të negociatave të anëtarësimit”, thonë nga Zyra e BE-së.

Nga rishqyrtimi i kësaj Marrëveshjeje të 2001 (Marrëveshja e Asociimit dhe Stabilizimit), mund të konstatohet se në këtë rast nënkuptohen rregullat evropiane kundër kufizimit të konkurrencës, detyrimit të transparencës dhe mosfavorizimit të ndërmarrjeve të caktuara. Në rastin e “Bechtel dhe Enka” është një marrëveshje e drejtpërdrejtë pa thirrje publike, e cila konsiderohet si sekret biznesi që do të kushtojë 1.3 miliardë euro. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button