VMRO: Ndryshime me mashtrime s’do të ketë, dorëheqjet për defokusim të opinionit
VMRO: Ndryshime me mashtrime s’do të ketë, dorëheqjet për defokusim të opinionit

Gazetar: Lluka Andreev
Dorëheqjet e kushtëzuara të pesë ministrave të BDI-së nuk çuan në ndryshim të qëndrimeve të partisë lidhur me procesin e ndryshimeve kushtetuese. BDI informoi se dorëheqjet e ministrave të tyre do të jenë efektive kur VMRO-DPMNE të jep mbështetje për ndryshimet, por partia opozitare kërkon që dorëheqjet të hyjnë në fuqi menjëherë. Sipas VMRO- DPMNE-së, ky është një hap tjetër për të zvarritur zgjedhjet e parakohshme.
“Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese me shtirje të këtilla. Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është i qartë. Nëse Artan Grubi dëshiron, le të japë dorëheqjen menjëherë, por problem nuk është vetëm BDI por edhe për LSDM të japin dorëheqje, të parevokueshme që të shkojmë në zgjedhje të shpejta të parakohshme parlamentare”, deklaroi Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi në një intervistë për një televizion T7 të Kosovës tha se BDI është e gatshme, përveç posteve ministrore, të heqë dorë edhe nga qeveria teknike me kryeministër shqiptar. Sipas Grubit, opozitës nuk i pengon hyrja e bullgarëve në Kushtetutë, por, siç vlerësoi ai, i pengon prania e shqiptarëve në qeveri.
Sot, socialdemokratët përsëri i bënë thirrje Hristijan Mickoskit të zgjedhë nëse është për integrim evropian apo për izolim. LSDM theksoi se dorëheqjet do të hyjnë në fuqi kur VMRO-DPMNE të votojë PRO, dhe tha se tani radhën e prononcimit e ka Mickoski.
“Me vendimet e mëparshme të Këshillit Qendror të LSDM-së, si dhe me vendimin e fundit të BDI-së, janë përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga Mickoski që DPMNE të mbështesë ndryshimet kushtetuese, duke përfshirë edhe qeveri pa BDI-në. Duke vënë shtetin mbi interesin partiak, LSDM dhe BDI tregojnë përgjegjësi ndaj qëllimit kryesor strategjik”, tha Bogdanka Kuzeska – Zëdhënëse e LSDM-së.
Dje Alternativa, theksoi se akti i dorëheqjes është defokus nga korrupsioni. Një qëndrim i ngjashëm erdhi edhe nga Lëvizja e Izet Mexhitit, e cila thotë se dorëheqjet duhej të ishin paraqitur pas skandaleve të korrupsionit, abuzimit dhe listës së zezë, ndërsa opinioni tani, sipas tyre, është vetëm dëshmitar i një teatri.
Qeveria nuk është përgjigjur nëse dorëheqjet e ministrave janë paraqitur zyrtarisht dhe në se kryeministri Dimitar Kovaçevski ka në plan t’i pranojë ato. Sipas Rregullores së punës së Kuvendit, ministri deponon dorëheqje te kryetari i Qeverisë, pastaj ai fillon procedurë për shkarkim para deputetëve. /Alsat.mk