VOA: Cilat janë synimet gjeostrategjike të Rusisë?

Hartuesit e politikave perëndimore mbeten po aq të paqartë për synimet gjeopolitike të Rusisë sot, sa ç’ishin homologët e tyre në prag të Luftës së Ftohtë dyzet vjet më parë.

A po përgatitet Kremlini të ndërmarrë një ndërhyrje në territorin e fqinjit të tij Ukrainës, e cila gjithnjë e më shumë e sheh veten si pjesë e Perëndimit, nëse refuzohen garancitë gjithëpërfshirëse të sigurisë që ka kërkuar Rusia?

Apo është grumbullimi i trupave ruse përgjatë kufijve të Ukrainës një mënyrë për të treguar forcë, një manovër e Presidentit Vladimir Putin për të siguruar sa më shumë lëshime nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë në tryezën e bisedimeve?

Keto pikëpyetje mund të fillojnë të marrin përgjigje duke filluar nga e hëna që shënoi fillimin e bisedimeve mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe rusë në Gjenevë, ku do të diskutohen kërkesat e Kremlinit që NATO-ja të tërheqë pranitë ushtarake nga vendet ish-sovjetike të Evropës Qendrore, si edhe mënyrat për të ulur tensionet mbi Ukrainën.

Edhe rreth tetë dekada më parë, hartuesit e politikave perëndimorë po përpiqeshin të deshifronin synimet e diktatorit të atëhershëm komunist sovjetik Josif Stalin, trashëgiminë e të cilit presidenti Putin është përpjekur ta rehabilitojë në Rusi.

Guy Liddell, një zyrtar i lartë i zbulimit britanik, shkruante në ditarin e tij në shkurt 1948 se sa e vështirë ishte të kuptohej nëse Rusia Sovjetike po planifikonte ndonjë agresion ushtarak.

Megjithëse Kremlini kishte këmbëngulur se synimet e tij ishin paqësore dhe tha se manovrat e Moskës ishin “për mbrojtje strategjike”, zoti Liddell komentonte në ditarin e tij se veprimet ruse – që nga përgatitjet ushtarake tek fushatat propagandistike, nga ndërhyrjet tek “përpjekjet për përçarje” – dukeshin si një “politikë e planifikuar për agresion” dhe fuqitë perëndimore nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të përgatiteshin për skenarin më të keqen dhe të qëndronin vigjilentë.

Vetëm dy javë më pas komunistët e drejtuar nga Kremlini morën kontrollin përfundimtar të qeverisë së Çekosllovakisë. Përmbysja e e demokracisë së fundit që kishte mbetur në Evropën Lindore, kompletoi ndarjen e Evropës, duke ngrirë dy gjysmat e kontinentit në një Luftë të Ftohtë prej katër dekadash.

Hartuesit e politikave janë të ndarë tani në lidhje me synimet e Presidentit Putini me grumbullimin e më shumë se 100,000 trupave në kufijtë e Ukrainës dhe lidhur me pyetjen nëse konsolidimi ushtarak është e nxitur nga ndonjë kapriço apo ndonjë ndjenjë pasigurie, pavarësisht nëse është e justifikuar ose jo.

LEXO EDHE:

Back to top button