Vrasja në Çarshi të Shkupit, Spasovski: Për zbardhjen e rastit po punohet edhe me autoritetet holandeze

Vrasja në Çarshi të Shkupit, Spasovski: Për zbardhjen e rastit po punohet edhe me autoritetet holandeze

Gazetar: Adrian Kerimi

Hetimi për vrasjen e dyfishtë më 6 mars në një lokal në Shkup ku viktima mbetën Jeton Krivanjeva (Zhilla) dhe Enes Iseini (Llaci) ka avancuar, por policia nuk mund të japë informacione për pistat e hetimit. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski thotë se po punohet në identifikimin e autorëve të vrasjes.

“Kemi avancuar në hetim, por nuk mund të jap detaje. Në kornizën e hetimit përfshihen edhe informacionet nga kolegët në Holandë”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Mediat në Holandë sot kanë shkruar për Iseinin pasi emri i tij është lexuar në një gjykim për vrasje. Sipas tyre, autoritetet holandeze e kanë ndjekur penalisht Enes Iseinin për pjesëmarrje në vrasjen e një shtetasi të Kolumbisë më 16 shkurt të vitit 2021 në Bergen të Holandës. Në mars të po këtij viti ai dhe persona të tjerë të dyshuar ishin identifikuar në Malaga të Spanjës ku edhe ishin arrestuar dhe ekstraduar në Holandë. 10 muaj pas masës së paraburgimit, me vendim të gjykatës ai ishte liruar në mungesë të një hetimi thelbësorë por i ishte konfiskuar pasaporta nga autoritetet holandeze.

Më 6 mars në një lokal afër Çarshisë së Shkupit mbetën të vrarë Krivanjeva dhe Iseini. Sipas versionit zyrtar persona të maskuar janë futur në lokal dhe kanë shtënë me armë, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur një të tretë. Autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes ndërsa në periferi të Shkupit i kanë vë flakën automjetit me të cilin dyshohet të kenë lëvizur për tek vendi i krimit dhe tutje. Zyrtarisht nuk ka persona të dyshuar, ndërsa nuk dihen as motivet e vrasjes. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button