Ekspertit Zekiri i besohet ekspertiza për “Llaskarcën”, pa përvojë paraprake

Ekspertit Zekiri i besohet ekspertiza për “Llaskarcën”, pa përvojë paraprake

Gazetar: Ardit Ramadani

Edhe pas më shumë se 120 seancave gjyqësore të mbajtura, gjykimi për aksidentin tragjik në “Llaskarcë” po zhvillohet në atmosferë të tensionuar dhe akuza nga më të ndryshmet mes familjarëve të viktimave dhe mbrojtjes së të akuzuarve. Pasi mungesa e tij bëri që të shtyhen disa seanca gjyqësore, sot në gjykatë u shfaq udhëheqësi i ekipit të ekspertëve, Zekirija Zekiri ndërsa pa filluar të merret në pyetje nga prokurori Darko Jakimovski, Zekiri tentoi të arsyetojë mungesat si dhe dyshimet e opinionit publik për (pa)varësinë e tij në punë.

“Është ushtruar presion ndaj meje për shkak se kam munguar, ne jemi njerëz, sëmuremi dhe është gjë që ndodhë. Për ekspertizën, unë besoj në Zot dhe ju betohem me përgjegjësinë më të madhe se s’kam lidhje me asnjë nga të akuzuarit, as të dëmtuarit apo tjerët. Askush s’më ka telefonuar për këtë”, tha Zekirija Zekiri, ekspert.

Por përkundër kësaj, pas pyetjeve të prokurorit Jakimovski rezultoi që edhe pse Zekirit i është besuar të punojë për këtë super ekspertizë voluminoze, ai më herët nuk kishte punuar në asnjë ekspertizë për aksidente rrugore, edhe pse siç tha, ka pasur shumë oferta por ka qenë i zënë me punimin e doktoratës. Ai gjithashtu përsëriti pjesën kontestuese të ekspertizës që rrezikon tërë fajin t’ia mveshë vetëm shoferit të autobusit, edhe atë se deri në goditjen e parë të autobusit, nuk janë gjetur gjurmë të frenimit.

Më pas pati përplasje verbale mes familjarëve të viktimave dhe avokatit Sasho Dukovski, pas të cilës njëri prej avokatëve lëshoi sallën për disa minuta, ndërhyri gjykatësja si dhe policia.

“Më së shumti në botë më vjen keq për tragjedinë që ka ndodhur dhe sidomos për atë që ata i kanë humbur më të dashurit, familjarët e afërm, por nuk duhet të lejohet që kjo të shndërrohet në cirk dhe në mënyrë të vazhdueshme të ketë ofendime më vullgare kundrejt mbrojtjes”, u shpreh Sasho Dukovski, avokat i palës mbrojtëse.

Sinisha Ristovski që ka humbur djalin në këtë aksident dhe tash 4 vite është në pritje që gjykata të dënojë fajtorët që kanë shkaktuar aksidentin, thotë se mbrojtja me çdo kusht nxit tensione që të zvarritet ende më shumë procedura gjyqësore.

“Gjithmonë kur avokatët e të akuzuarve e kuptojnë që ekspertët e tyre nuk kanë përgjigje dhe nuk dinë të përgjigjen, atëherë dikush prej tyre nxit tension me qëllim që të ndërpritet procesi gjyqësor. Siç e patë, tensionin e nxisin përmes ngritjes së zërit në mënyrë të orkestruar dhe grupore nga të gjithë avokatët e të akuzuarve”, theksoi Sinisha Ristovski, familjar i viktimës.

Procesi gjyqësor për këtë lëndë ka filluar në vitin 2019. Në aksident humbën jetën 16 persona dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor të akuzuar janë gjashtë persona. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button