Vrasja tek Mavrovasja, Elvin Kurtoviç dënohet me burgim të përjetshëm

Vrasja tek Mavrovasja, Elvin Kurtoviç dënohet me burgim të përjetshëm

Gazetar: Mihajllo Donev

Gjykata Penale e Shkupit dënoi me burgim të përjetshëm 40-vjeçarin Elvir Kurtoviq, pasi i pandehuri pranoi fajin për vrasjen që e kreu më 20 gusht në Qendrën Tregtare “Mavrovasja” në Shkup, shkruan Alsat.

Para shpalljes së aktgjykimit, gjykatësja lexoi ekspertizën e psikiatrit që vlerëson se Kurtoviq është person i shëndoshë mendërisht, gjë që sipas gjykatës e hedh poshtë justifikimin e tij se veprën penale e ka kryer nën ndikim të drogës.

“Fillimisht tha se dy-tre ditë para ngjarjes penalo-juridike ka qenë nën ndikimin e lëndës narkotike kokainë. Elvin, ju vetë e keni sjellë veten në atë gjendje, kjo nuk do të thotë për gjykatën që përgjegjësia juaj penale duhet të reduktohet apo të shmanget, në asnjë rast”, tha Monika Bahçovanovska – Gjykatëse.

Më 20 gusht të vitit 2024, Elvin Kurtoviq e qëlloi dhe vrau 59-vjeçarin Vasil Eftemov në parkingun afër “Mavrovases” dhe më pas pranoi në gjykatë se kur e ka kryer vrasjen sapo kishte dalë nga burgu në Idrizovë për fundjavë dhe nuk ishte kthyer atje, vazhdimisht ishte droguar, ndërsa ditën e vrasjes ka qenë nën ndikimin e kokainës.

Pasi e qëlloi Vasilin dhe i mori gruas së tij një çantë me kompjuter, ai u arratis me veturë në drejtim të parkut të Gazi Babës, ku është transferua në një automjet tjetër, por në Çair është neutralizuar nga policia.

Më pas, me të njëjtën armë për të cilën nuk kishte leje, Kurtoviq ka qëlluar në drejtim të katër policëve të përfshirë në bastisje. Ndonëse i pandehuri në seancën e kaluar ka pranuar veprën e vrasjes, ai ka mohuar akuzën se ka qëlluar në drejtim të policëve që kanë tentuar ta arrestojnë dhe ka thënë se nuk është e vërtetë se ai nuk posedon leje për armë. / Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button