Vrasje masive në disa fshatra të Beogradit, 21 vjeçari vrau 8 persona

Vrasje masive në disa fshatra të Beogradit, 21 vjeçari vrau 8 persona

Së paku tetë persona u vranë dhe 14 të tjerë u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në Beograd, bëri të ditur Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë. Sulmuesi i dyshuar Urosh B., i lindur në vitin 2002, u arrestua afër qytetit të Kragujevcit, pas disa orësh në arrati. Të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin. “Policia po vazhdon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e ministrisë serbe. Policia ende nuk ka bërë të ditur motivin e sulmit. Sipas disa mediave lokale, sulmuesi qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park të shkollës në fshatin Dubona.

“Dëgjova disa krisma. Turp, turp i madh. Thonë se i vrau pa asnjë arsye. Ata thonë se këtu në qendër të fshatit ka pasur një debat, ai shkoi në shtëpi, mori armën dhe u kthye për t’i vrarë. Megjithatë, unë mendoj se kjo nuk është e vërtetë, nëse do të ishte e vërtetë, pse ai shkoi në fshatrat fqinjë për të vrarë?”, tha Milan Prokiq, banor.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”. Në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Ai tha se vrasja masive përbën sulm ndaj gjithë shtetit.

“Ky është sulm masiv kriminel, pas sulmit ndaj fëmijëve tanë. Ky është sulm ndaj shtetit tonë dhe çdo qytetar e ndjenë këtë. Është një akt në të cilin komunitetet tona speciale antiterroriste kishin për detyrë të arrestonin ose neutralizonin një terrorist. Ai është arrestuar dhe nuk do ta shohë më kurrë dritën e diellit. Ai nuk do të dalë nga burgu”, deklaroi Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë.

Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë. Të mërkurën, një djalë 13 vjeçar se vrau 8 nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit. Serbia, aktualisht, është në ditë zie për viktimat e sulmit në shkollë. Qeveria serbe tha se ka marrë vendim që të bëjë një rishikim të gjerë të lejeve ekzistuese për armët private. Ajo paralajmëroi edhe një moratorium dyvjeçar për dhënien e lejeve të reja për mbajtjen e armëve të shkurtra të zjarrit. Zotërimi i armëve në Serbi është ndër më të lartit në Evropë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button