Vuçiqi i uron fitoren Putinit, pas Kim Jongut

Vuçiqi i uron fitoren Putinit, pas Kim Jongut

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka uruar homologun e tij rus, Vladimir Putin për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Vuçiç ka thënë se letrën e urimit për Putinin ia ka dorëzuar ambasadorit rus në Beograd, Alexander Bocan Harchenko.

“Në të, përveç që ia kam uruar fitoren, ia kam sqaruar edhe peshën e situatës me të cilët po përballen serbët në Kosovë dhe Metohi, sfidat e mëdha politike me të cilat përballet Serbia, dhe e kam falënderuar Rusinë për mbështetjen e saj për integritetin territorial të Serbisë”, ka thënë Vuçiç në Instagram.

Presidenti i Serbisë ka folur me ambasadorin rus dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve treditore presidenciale në Rusi, të cilat i ka fituar Putini.

Ai i ka siguruar me lehtësi 87 për qind të votave, në zgjedhjet e kontrolluara prej Kremlinit.

Perëndimi ka thënë se nuk i konsideron këto zgjedhje, as të lira, as të drejta.

Autoritetet e Serbisë e kanë dërguar në Rusi një delegacion vëzhguesish për të parë prej afër procesin zgjedhor.

Serbia është një prej vendeve të pakta evropiane që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për nisjen e luftës në Ukrainën fqinje, më 2022. Beogradi zyrtar mbështetet në ndihmën e Rusisë në organizata ndërkombëtare dhe mekanizma tjerë, kur është fjala për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës.

Para Vuçiqit, Putinin e uroi udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un, Qeveria kineze, Irani dhe India.(INA)

LEXO EDHE:

Back to top button