Zaevi konfirmon mbështetjen e partnerëve të koalicionit në raundin e dytë

Kreu i LSDM-së konfirmoi mbështetjen e partive të koalicionit për rrethin e dytë të zgjedhjeve. Ai tha se me mbështetjen e partnerëve vërtetohet stabiliteti i shumicës parlamentare. Në të njëjtën kohë Zaev kërkoi mbështetje edhe për Petre Shilegovin në Shkup, pasi siç tha ai, kjo është mënyra e vetme për të mos u kthyer mbrapa.

 

Më herët gjatë ditës BDI-ja konfirmoi si të palëkundur mbështetjen për partinë e koalicionit. Zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani tha se mbështetje ndaj Shilegovit nënkupton zhvillimin e mëtejmë të Shkupit.

Nga ana tjetër edhe partitë e tjera më të vogla të koalicionit iu përgjigjën thirrjes së Zaevit, i cili një ditë më pari përmes letre kërkoi konfirmim për mbështetjen e tyre në raundin e dytë zgjedhor në të gjitha komunat. Partia e Pensionistëve përmes një kumtese ftoi anëtarët e saj që t’i votojnë kandidatët e LSDM-së. Po ashtu, edhe nga Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit u bënë thirrje anëtarëve të partisë që të mbështesin kandidatët e LSDM-së.

Por PLD dhe Partia për Ripërtëritje Demokratike të Maqedonisë të cilët në zgjedhjet lokale garuan së bashku, nuk do u bëjnë thirrje votuesve të tyre që të mbështesin kandidatët e LSDM-së.

Tani në rrethin e dytë, në mënyrë masovike do të dalin dhe do e përkrahin kandidatin, personalitetin për të cilin besojnë se me të vërtetë në 4 vitet e ardhshme do ta udhëheq komunën ose qytetin në drejtim pozitiv- deklaroi Maja Moraçanin, DOM.

Mbesim siç tha Maja, pjesë e koalicionit qeveritar, por pas rrethit të dytë zgjedhor, me seriozitet do të bisedojmë me partnerët tonë politik që të ndryshojë diçka në mënyrën e qeverisjes për shkak se është e dukshme se qytetarët i dhanë mosbesim Qeverisë, respektivisht e dënuan qeverinë në të cilën jemi pjesë edhe ne- pohoi Goran Milevski, PLD.

Të gjithë partnerët e koalicionit Qeveritar, të cilët sot iu përgjigjën thirrjes së kreut të LSDM-së Zoran Zaev, deklaruan se janë të pavërteta njoftimet për shumicë të re parlamentare. Ata thonë se shumica qeveritare aktuale është stabile.

Mefail Isamili

LEXO EDHE:

Back to top button