Zakoni që mund ta dëmtojë shikimin
Zakoni që mund ta dëmtojë shikimin
Pas trurit, syri konsiderohet si organi më kompleks në trupin e njeriut dhe përmban mbi 2 milionë pjesë funksionale. Rreth 80 për qind të të nxënit ndodh përmes të parit.
Oftamologia Amanda Redfern, nga Universiteti i Oregonit, në podcastin “Am I Doing it Wrong?” ka thënë se fjetja me thjerrëza dëmton seriozisht shqisën e të parit, raporton “Yahoo”.
“Është si ‘ruleti rus’. Fjetja me thjerrëza në sy është zakon i keq, shumë i keq, sepse mund të krijojë infeksion në pjesën që mbulon thjerrëza”, ka thënë ajo.
Ajo ka bërë të ditur se ky infeksion nuk do të ndodhë çdoherë, por kur ndodh është i tmerrshëm, mund të jetë aq i keq që në rastin më të keq mund të humb komplet shikimi dhe në raste kur infeksioni është më i lehtë, syri mund të përfundojë me shenjë në korne.
“Nëse ajo shenjë është në qendër të të parit, mund ta prekë shqisën në mënyrë permanente, gjë që mund të çojë deri te nevoja për transplantim të kornesë”, ka thënë oftamologia.
Ajo ka bërë të ditur gjithashtu që kushdo që përdor thjerrëza, të mos bëjë asnjë lloj aktiviteti që do të mund t’i bënte ato të kontaminohen, përfshirë notin në liqe apo pishinë dhe bërjen e dushit ndërkohë që thjerrëzat janë në sy.
“Problemi i thjerrëzave është se ato mund t’i mbajnë bakteret ndërmjet kornesë së syrit sikur një sandviç, mund të infektoheni dhe të keni komplikime të mëdha”, ka bërë të ditur Redfern.
Ajo ka thënë se thjerrëzat e as syri nuk duhet të ekspozohen ndaj diçkaje që është josterile, përfshirë edhe ujin e çezmës, i cili nuk duhet të përdoret për t’i larë ato.
“Nëse dikush harron të marrë me vete ujin e thjerrëzave, nuk duhet assesi të fle me to e as t’i lajë me ujë nga çezma. Më mirë është t’i gjuani në plehra e të rrini pa to gjatë kohës sa do të qëndroni në pushim”, ka thënë doktoresha.
Ajo ka rekomanduar se për çdo aktivitet duhet të përdoren mbrojtës të syve, duke shtuar se ajo vet përdorë mbrojtës të syve kurdo që bën ndonjë punë me çekan në shtëpi, apo ndonjë gjë që mund të dëmtojë syrin pa dashje.
“Nëse të hyn diçka në sy ndërkohë që je duke punuar, mos u mundo ta heqësh vet. Merr një tas letre, vendose në sy dhe shko te mjeku përkatës. Nëse mundohesh ta heqësh vet mund ta tërheqësh të gjithë përmbajtjen e syrit me gjithë objektin që të ka hyrë në sy”, ka thënë doktoresha.
Ajo gjithashtu ka këshilluar që për çdo gjë duhet të konsultohet mjeku përkatës.