Zbulohet një bimë ideale që mund të mbillet në tokën djerrë të Marsit

Zbulohet një bimë ideale që mund të mbillet në tokën djerrë të Marsit

Kushtet në Planetin e Kuq janë vërtet të vështira, dhe toka në të nuk bën përjashtim. Jo vetëm që toka është e dobët dhe pa lëndë organike dhe mikroorganizma të dobishëm, por është gjithashtu shumë e ngopur me kripëra dhe minerale të papërshtatshme për shumicën e bimëve në Tokë. Megjithatë, kërkimet e reja shkencore sugjerojnë një zgjidhje – jonxhën.

Në gjendje jo vetëm të mbijetojë, por edhe të lulëzojë në tokë vullkanike me një përbërje të ngjashme me atë që mbulon Marsin, shkencëtarët besojnë se mund të përfaqësojë një bazë jashtëzakonisht të mirë si një kulturë fillestare, raporton Sajns Alrt.

Me kalimin e kohës, jonxha do të përmirësonte tokën e plantacioneve ku rritet dhe mbetjet e saj, përveç ushqimit, mund të përdoreshin edhe për plehërimin dhe pasurimin e mëtejshëm të tokës ku më vonë mund të rriteshin rrepa, rrepka dhe marule.

“Për shkak të përmbajtjes së ulët të lëndëve ushqyese të tokës marsiane dhe kripës së lartë të ujit, të mbjellat nuk mund të rriteshin. Prandaj, është thelbësore të rriten lëndët ushqyese të tokës dhe të zvogëlohet kripësia në afat të gjatë”, thuhet në studimin e ri të botuar në revistën Plos One.

Hulumtimet e mëparshme kanë treguar se edhe ato kultura bimore jashtëzakonisht të qëndrueshme nga Toka nuk mund të rriten me sukses pa futur dhe shtuar plehra në tokën në të cilën do të rriteshin. Këtu hyn në lojë jonxha. Ekspertët kanë përcaktuar se kjo bimë mund të rritet në regolitin e Marsit pa shtuar plehra.

Gjithashtu u testua se si do të sillej regoliti i simuluar nga Marsi nëse fekondohej me jonxhë. Rrepat, rrepkat dhe marulja – tre barishte me mirëmbajtje të ulët, me rritje të shpejtë që nuk kanë nevojë për shumë ujë – janë rritur me sukses në të.

Ekziston vetëm një kusht – nevojitet ujë i freskët dhe i ëmbël. Bazuar në eksperimentet e mëtejshme, ekipi shkencor beson se uji i kripur nga Marsi mund të trajtohet me baktere dhe më pas të filtrohet përmes shkëmbinjve vullkanikë për të prodhuar ujin e freskët dhe të ëmbël të nevojshëm për kultivim.

“Për herë të parë, është krijuar një përdorim i integruar i bioplehrave dhe mikroorganizmave për të përpunuar regolitin e bazaltit dhe ujin e kripur për të krijuar burime për kultivimin e qëndrueshëm të bimëve”, thanë studiuesit.

Rritja e jonxhës në Mars dhe përdorimi i saj për të pasuruar tokën do të zgjidhte shumë nga problemet logjistike të transportit të sasive të mëdha të plehrave dhe ushqimeve miliona kilometra në Mars.

LEXO EDHE:

Back to top button