Zbulohet një kamp i improvizuar migrantësh

Melihate Rustemi

Në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë është zbuluar një kamp i improvizuar emigrantësh, ku këto të fundit mbaheshin peng dhe keqtrajtoheshin. Sipas Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion e cila tashmë ka hapur hetim, të dyshuar janë dy pakistinezë dhe dy të mitur nga Afganistani. Sipas prokurorisë, të dyshuarit i kanë trajtuar emigrantët në mënyrë mizore dhe poshtëruese duke u kërkuar para nga familjet e tyre.  Gjithashtu, sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë akomoduar emigrantë që kanë hyrë ilegalisht në vend nga Greqia për t’i transferuar në territorin serb, gjegjësisht për t’iu mundësuar vazhdimin e rrugës kundrejt shumave të majme të parave.

“Në kamp emigrantët janë mbajtur me forcë, u janë konfiskuar telefonat celularë dhe dokumentet personale duke i penguar të kenë kontakte jashtë kampit. Duke përfituar nga pafuqia e tyre, të dyshuarit dhunuan fizikisht viktimat, i fotografuan dhe ua dërguan fotot familjarëve të tyre duke kërkuar para që viktimat të vazhdonin rrugën e tyre. Duke përdorur forcë dhe kërcënime për të marrë para nga viktimat, ata janë trajtuar në mënyrë jashtëzakonisht mizore dhe poshtëruese ndërsa me disa prej tyre kanë pasur edhe marrëdhënie seksuale”, thonë nga Prokuroria për krim të organizuar dhe korrupsion

Më tej, nga Prokuroria bëjnë të ditur se rrjeti i tyre i kontrabandës dhe ngacmimit të emigrantëve ka funksionuar për disa muaj, nga muaji gusht e deri në muajin nëntor të këtij viti. Grupi është formuar nga dy persona të panjohur nga Pakistani dhe të dyshuarit në hetimin e autoriteteve maqedonase janë anëtarë të tij. Rasti u zbulua si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar me Serbinë, ku dy emigrantë që ishin viktima të grupit raportuan ngjarjet.Prokuroria tha se grupi akuzohet për disa krime si organizimi i grupit dhe nxitje të kryerjes së trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimi i të miturve dhe kontrabandimi i migrantëve. Të dyshuarve u është caktuar masa e paraburgimit dhe mund të dënohen me nga tetë vjet burg.

 

LEXO EDHE:

Back to top button