Zbulohet një pjesë e re e sistemit imunitar, vendimtare në luftimin e baktereve
Zbulohet një pjesë e re e sistemit imunitar, vendimtare në luftimin e baktereve

Shkencëtarët kanë zbuluar një pjesë të re të sistemit imunitar që mund të jetë vendimtar në luftimin e infeksioneve bakteriale dhe rezistencës ndaj antibiotikëve, kanë njoftuar studiuesit në Izrael.
Një studim i botuar në revistën Nature zbulon se “proteazoma”, një kompleks enzimash i pranishëm në çdo qelizë të trupit, ka një funksion të panjohur më parë: përveç shkatërrimit të proteinave të vjetra, mund të prodhojë molekula të fuqishme që shkatërrojnë bakteret, shkruan BBC.
Profesor Yifat Merbl nga Instituti i Shkencave Weizmann thotë se ky është një zbulim revolucionar sepse ndryshon të kuptuarit se si trupi mbrohet nga infeksionet.
“Ne kemi zbuluar një mekanizëm të ri imunitar që lejon qelizat të mbrohen kundër sulmeve bakteriale në të gjithë trupin,” tha ajo.
Ekipi i shkencëtarëve i testoi këta antibiotikë natyralë në baktere në laborator dhe në minj të infektuar me pneumoni dhe sepsë. Rezultatet treguan efektivitet.
Profesor Daniel Davies, një imunolog në Universitetin e Londrës, tha se ky zbulim është “shumë interesant” sepse zbulon një mënyrë krejtësisht të re në të cilën trupi prodhon molekula antimikrobike.
Megjithatë, ai paralajmëroi se nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar përdorimin e këtij mekanizmi në zhvillimin e barnave të reja.