Zelenski: Rusia po e shantazhon Evropën

Zelenski: Rusia po e shantazhon Evropën

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Ministrat e BE-së për Energji kanë arritur pajtueshmëri që shtetet e tyre të zvogëlojnë përdorimin e gazit, në rast se Rusia ndal furnizimet. Vendet anëtare të BE-së janë pajtuar se shtetet duhet që vullnetarisht të zvogëlojnë përdorimin e gazit për 15 për qind, nga gushti deri në muajin mars. “Ky nuk ishte mision i pamundur”, ka thënë Republika Çeke, e cila udhëheq presidencën e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm.

“Në përpjekje për të rritur sigurinë e BE-së në furnizimet me energji, vendet anëtare kanë arritur marrëveshje politike që vullnetarisht të zvogëlojnë përdorimin e gazit natyror për 15 për qind këtë dimër”, ka thënë BE-ja.

BE-ja ka thënë se disa shtete, që nuk janë të lidhura me gazsjellës të vendeve tjera, mund të përbëjnë përjashtim nga kërkesa për një zvogëlim të tillë, meqë nuk kanë furnizime alternative. Ukraina e ka akuzuar Moskën për “luftë gazi” kundër Evropës, si dhe për ndalje të furnizimeve për të nxitur “terror” ndaj njerëzve.

“Shantazhi me gaz në Evropë, që vetëm sa shkon e përkeqësohet çdo muaj, është i nevojshëm për shtetin terrorist në mënyrë që të vështirësojë jetën e çdo evropiani”, tha Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës.

Muaj më parë, Gazpromi veçse ka ndalur furnizimet me gaz për Bullgarinë, Danimarkën, Finlandën, Holandën dhe Poloninë, pas refuzimit të tyre që të zbatojnë urdhrin e Kremlinit për të paguar faturat në rubla, dhe jo në dollarë apo euro. Më herët gjatë këtij muaji, ky gazsjellës është mbyllur për shkak të punimeve 10-ditore, duke nxitur shqetësime në Evropë se ai mund të mos i rikthehet më punës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button