Zelensky akuzon Rusinë për ‘barbarizëm’ pas sulmit në portin e Odesa-s

Zelensky akuzon Rusinë për ‘barbarizëm’ pas sulmit në portin e Odesa-s

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka akuzuar Rusinë për “barbarizëm” pas një sulmi me raketa në portin e Odesa-s.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një marrëveshje historike për të rifilluar eksportet e drithërave të Ukrainës – e nënshkruar disa orë përpara sulmit – tani varet në “mëdyshje”.

Moska nuk ka komentuar mbi sulmin dhe Kievi ka thënë se përgatitjet janë ende duke u zhvilluar për të rifilluar eksportet e grurit, pavarësisht shkeljes së dukshme.

Por të shtunën, presidenti Zelensky tha se kjo ilustron se si Moskës nuk mund t’i besohet se do t’i përmbahet marrëveshjes.

Ai u zotua të bëjë gjithçka që është e mundur për të blerë sisteme të mbrojtjes ajrore të aftë për të rrëzuar raketa të tilla në të ardhmen.

Ukraina është një eksportues kryesor i drithit, por për shkak të luftës, rreth 20 milionë ton drithë janë bllokuar në portet e saj, në pamundësi për t’u larguar për shkak të forcave ruse.

Kjo ka çuar në mungesa ushqimore dhe rritje të çmimeve në të gjithë Afrikën, e cila zakonisht mbështetet tek Ukraina dhe Rusia për grurin.

Sipas marrëveshjes së së premtes, Rusia ra dakord të mos synonte portet ndërsa dërgesat e grurit ishin në tranzit.

Por vetëm disa orë pas nënshkrimit të marrëveshjes, dy raketa Kalibr goditën portin e Odesa-s, sipas qendrës së komandës jugore të ushtrisë ukrainase. Dy raketa të tjera u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore.

Sulmi nuk shkaktoi dëme të konsiderueshme në port, tha qendra komanduese.

Sulmi është dënuar edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili akuzoi Rusinë për përkeqësim të një krize globale ushqimore dhe tha se sulmi hodhi “dyshim serioz” mbi besueshmërinë e angazhimit të Rusisë ndaj paktit.

“Rusia duhet të ndalojë agresionin e saj dhe të zbatojë plotësisht marrëveshjen e grurit për të cilën ka rënë dakord”, tha ai të shtunën.

Kremlini deri më tani nuk ka bërë asnjë koment publik mbi sulmin, megjithatë qeveria turke, e cila ndërmjetësoi marrëveshjen, tha se zyrtarët rusë e kishin mohuar të jenë përgjegjës për diçka të tillë.

LEXO EDHE:

Back to top button