Zelensky kërkon armë dhe garanci nga NATO përpara negociatave me Moskën
Zelensky kërkon armë dhe garanci nga NATO përpara negociatave me Moskën
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se vendi i tij ka nevojë për më shumë armë dhe garanci sigurie nga NATO përpara bisedimeve të mundshme me Rusinë për t’i dhënë fund pushtimit të saj në Ukrainë, i cili filloi në vitin 2022.
Zelensky foli pas takimit me kreun e ri të diplomacisë evropiane, Kaya Callas, dhe presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, të cilët vizituan Kievin në ditën e parë të mandatit të tyre.
Tensionet midis Moskës dhe Perëndimit janë në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave pas sulmit ukrainas nga raketat amerikane dhe britanike në territorin rus dhe lëshimit nga Rusia të një rakete eksperimentale hipersonike dhe kërcënimeve bërthamore ruse.
Zelensky tha se vendi i tij “ka nevojë për armë, duke përfshirë një numër të mirë ose të mjaftueshëm të raketave me rreze të gjatë të llojeve të ndryshme”.
“Thirrja që Ukraina të anëtarësohet në NATO është e nevojshme për mbijetesën tonë”, shtoi presidenti ukrainas, ndërsa Moska pretendoi se nisi pushtimin për të parandaluar një afrim midis Kievit dhe aleancës ushtarake.
“Pasi t’i kemi të gjitha këto elemente dhe të jemi të fortë, do të duhet të përcaktojmë… axhendën e takimit me vrasësit”, tha Zelensky.
Disa orë më parë, presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se vizita e tij në Kiev ishte një mesazh i qartë.
“Ne qëndrojmë pranë Ukrainës dhe vazhdojmë t’i japim asaj mbështetjen e plotë,” u tha Kosta gazetarëve.
Ekipi i ri i Bashkimit Evropian dëshiron të tregojë mbështetje të fortë për Ukrainën në një kohë kur forcat e saj po tërhiqen nga vija e frontit dhe në një kohë kur mbërritja e afërt e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ngre frikën për përfundimin e ndihmës amerikane për Kievin.
Kalas tha se “garancia më e fortë e sigurisë (për Ukrainën) është anëtarësimi në NATO”.
Diplomatët perëndimorë, megjithatë, besojnë se ka pak mundësi që aleanca të miratojë statusin e anëtarësimit të Ukrainës në të ardhmen e afërt, duke pasur parasysh kundërshtimin nga një numër vendesh që kanë frikë se kjo do t’i tërheqë drejtpërdrejt në luftë me Rusinë.