“Zelensky planifikon zgjedhje në pranverë, do t’i shpallë më 24 shkurt”
"Zelensky planifikon zgjedhje në pranverë, do t’i shpallë më 24 shkurt"
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky po planifikon zgjedhje në pranverë së bashku me një referendum mbi marrëveshjen e paqes nën presionin e SHBA-së, raportoi të mërkurën Financial Times.
Administrata Trump po i bën presion presidentit ukrainas që të mbajë zgjedhjet dhe referendumin deri më 15 maj , në mënyrë që të mos humbasë garancitë e sigurisë.
Zelensky synon të shpallë planin për zgjedhjet presidenciale dhe një referendum më 24 shkurt, sipas FT, e cila citoi zyrtarë ukrainas dhe evropianë që ishin të përfshirë në planifikim.
Javën e kaluar, Ukraina ra dakord me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën për një plan reagimi ushtarak shumështresor në rast se Rusia shkel një armëpushim të mundshëm , thanë burime për FT.
“Gati për zgjedhje”
Zelensky kishte deklaruar që nga dhjetori se Ukraina ishte “e gatshme për zgjedhje ”, ndërsa Presidenti i SHBA-së Donald Trump përsëriti akuzat se Kievi po “përdorte luftën” për të shmangur mbajtjen e tyre.
Mandati pesëvjeçar i Zelensky-t si president duhej të përfundonte në maj 2024 , por zgjedhjet janë pezulluar në Ukrainë, pasi u shpall gjendja e jashtëzakonshme pas pushtimit të Rusisë në shkurt 2022.
Reuters raportoi javën e kaluar se, sipas një kuadri që po diskutohet nga negociatorët amerikanë dhe ukrainas, çdo marrëveshje paqeje do të vihet në një referendum.
Votuesit ukrainas do të shkojnë në kutitë e votimit njëkohësisht për zgjedhjet kombëtare, sipas agjencisë së lajmeve, e cila raportoi gjithashtu se zyrtarët kishin diskutuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve kombëtare dhe referendumit në maj.







