Zemaj: Situata në spitalet e Kosovës është stabile

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj thotë se situata në spitalet në Kosovë “është stabile”, por shton se për shkak të situatës epidemiologjike të gjithë duhet të jenë të vëmendshëm.

Kështu tha ministri Zemaj, pas një takimi me drejtorët e përgjithshëm të spitaleve dhe të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar.

“Spitalet e përgjithshme në asnjë moment nuk mund ta ngarkojnë QKUK-në, duke udhëzuar rastet. Pacientët që mund të marrin trajtimin e duhur në spitalet rajonale, duhet të mbesin aty”, tha Zemaj në llogarinë e tij në Facebook.

Kosova, ditëve të fundit ka regjistruar rritje të numrit të rasteve me koronavirusin e ri. Vetëm të hënën, më 26 tetor, në Kosovë u regjistruan 205 raste të reja me koronavirus dhe tri viktima.

“Tashmë kur po hyjmë në një fazë të re të përgjegjësisë, pres nga secili përgjegjës që të jetë në nivelin e duhur, rritmi i punës nuk do të ulet, puna do të vazhdoj me përkushtim të shtuar”, shtoi Zemaj.

Prej 13 marsit – ku u paraqitën rastet e para me koronavirus – e deri më 26 tetor, në Kosovë janë regjistruar 18,148 të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 666 pacientë kanë vdekur dhe 15,150 janë shëruar.

Raste aktive me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, janë 2,332.

https://www.facebook.com/zemajarmend/posts/3523965044317017

LEXO EDHE:

Back to top button