Zemërimi për aleancën AUKUS, Blinken “qetëson” Francën

SHBA-ja kërkoi të enjten të qetësojë pakënaqësinë franceze të shkaktuar nga vendimi i administratës së presidentit Joe Biden për arritjen e marrëveshjes për nëndetëse me Australinë, e cila kontratën e mëparshme franceze e la në sirtar.

Marrëveshja për t’i siguruar Australisë teknologji të ndjeshme të nëndetëseve bërthamore së bashku me Mbretërinë e Bashkuar u bë pasi të tre vendet arritën një pakt trepalësh sigurie që fokusohet në forcimin e aftësive të tyre të brendshme dhe përmirësimin e ndërveprimit të tyre.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se në vend që të ishte një fyerje ndaj Evropës dhe Francës, krijimi i AUKUS, siç njihet zyrtarisht grupi “është një sinjal që ne jemi të përkushtuar të punojmë me aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë edhe në Evropë, për të siguruar një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”.

“Franca, veçanërisht, është partner jetik në këtë dhe shumë çështje të tjera që shtrihen në breza dhe ne duam të gjejmë çdo mundësi për të thelluar bashkëpunimin tonë transatlantik në Indo-Paqësor dhe në të gjithë botën”, tha kryediplomati amerikan pas takimit me homologun e tij australian dhe sekretarët e Mbrojtjes të SHBA-së dhe Australisë në Washington.

“Ne mirëpresim vendet evropiane të luajnë një rol të rëndësishëm në Indo-Paqësor. Presim me padurim bashkëpunimin e ngushtë të vazhdueshëm me NATO-n, me Bashkimin Evropian dhe me aktorë të tjerët në këtë përpjekje”, shtoi ai.

Blinken tha se SHBA-ja ishte në kontakt me Parisin para se vendimi për të ndihmuar Australinë të ndërtojë një flotë prej tetë nëndetëseve me energji bërthamore të bëhej publik të mërkurën.

Megjithatë, Franca ka reaguar ashpër kundër njoftimit, i cili çoi Australinë të heqë dorë nga kontrata multi-miliardë dollarëshe për të blerë nëndetëse të dizajnuara franceze me naftë, duke e përshkruar atë si një “vendim për të ardhur keq”.

Zyrtarët e lartë të qeverisë franceze theksuan se ky hap “përforcon nevojën për të ngritur çështjen e autonomisë strategjike evropiane zëshëm dhe qartazi”.

Në një deklaratë të përbashkët, Jean-Yves Le Drian dhe Florence Parly, ministrat francezë për Punët e Jashtme dhe Forcat e Armatosura, thanë se vendimi i SHBA-së çoi në “përjashtimin e një aleati dhe partneri evropian në një kohë kur ne po përballemi me sfida të papara në rajonin Indo-Paqësor”.

Ata thanë se ky vendim “sinjalizon mungesën e qëndrueshmërisë për të cilën Franca mund ta konstatojë dhe të shpreh keqardhje” dhe “është në kundërshtim me dokumentin dhe frymën e bashkëpunimit që mbizotëronte midis Francës dhe Australisë, bazuar në marrëdhëniet e besimit politik”.

Vendimi për formimin e AUKUS vjen pasi Kina po bëhet gjithnjë e më e pranishme në Indo-Paqësor, edhe pse asnjë nga tre vendet nuk ka thënë në mënyrë të qartë se është e orientuar në kundërshtimin e Pekinit në rajon, disa zyrtarë theksuan “aktivitetet destabilizuese” të Kinës atje.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se ministrat e mbrojtjes dhe të jashtëm diskutuan “aktivitetet destabilizuese të Kinës dhe përpjekjet e Pekinit për të detyruar dhe frikësuar vendet e tjera në kundërshtim me rregullat dhe normat e vendosura”.

“Ndërsa ne kërkojmë marrëdhënie konstruktive dhe të orientuar drejt rezultateve me RPK, ne do të mbetemi syhapur në pikëpamjen tonë të përpjekjeve të Pekinit për të minuar rendin ndërkombëtar”, tha Austin duke iu referuar Republikës Popullore të Kinës.

Ministrja e Jashtme e Australisë, Marise Payne tha më tej se Pekini deri më tani ka refuzuar kontaktet dypalëshe në disa nivele zyrtare edhe pse Canberra ka qenë “shumë konsistente” në deklarimin e dëshirës së saj për “të pasur një angazhim konstruktiv me Kinën”.

“Dialogu është konstruktiv. Dialogu mundëson transmetimin e çdo ndryshimi, sqarimin e çdo shqetësimi. Dhe kështu ne do të vazhdojmë ta inkurajonim atë. Më vjen keq që nuk merret vazhdimisht në konsideratë. Më duket se aktorët e pjekur do ta konsideronin këtë në një mënyrë konstruktive”, tha ajo.

LEXO EDHE:

Back to top button