Zënka në lokalin në Prishtinë, një i vdekur e 21 të plagosur
Zënka në lokalin në Prishtinë, një i vdekur e 21 të plagosur
Një ngjarje e rëndë është shënuar në orët e vona të mbrëmjes në një lokal në qendër të Prishtinës, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur 21 persona, ndërsa një tjetër ka ndërruar jetë. Sipas policisë, 4 prej tyre janë lënduar me armë zjarri, ndërsa 17 të tjerë si pasojë e thyerjeve të gotave ose shisheve prej qelqi. Një ndër ta humbi jetën në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, një 39-vjeçar, i cili nuk mundi t’i mbijetojë plagëve me armë zjarri të marra në zonën e barkut. Të plagosurit janë duke marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Mes tyre janë katër të dyshuar, si të përfshirë në këtë rast, ndërsa pritet identifikimi i personave të tjerë.
“Pas mesnate diku, mbrëmë janë pranuar në Qendrën Emergjente 17 pacientë, ku 7 prej tyre kanë qenë të lënduar me armë skllopetare apo me armë zjarri, kurse 10 të tjerë kanë qenë të lënduar me mjete të mprehta me pjesë të xhamave apo pjesë të tjera të forta që i kanë pasur aty…Për momentin, dy raste prej tyre janë pasi janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme, janë trajtuar në sallën e operacionit nga ekipet kujdestare të Kirurgjisë Abdominale, Kirurgjisë Vaskulare të Ortopedisë. Për fat të keq, njëri edhe pas intervenimit kirurgjik nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë”, u shpreh Naser Syla, drejtor i QKUK-së.
Ende nuk dihen shkaqet e sherrit mes personave, që agravoi deri në përplasje fizike dhe shkrepje arme. Ndërkohë sipas burimeve një i dyshuar gjendet në arrati dhe është në kërkim nga Policia e Kosovës si i dyshuari kryesor për përfshirjen në përleshje. Përpos nga Policia e Kosovës, ai prej vitesh është i kërkuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përfshirjen në shpërndarjen e sasive të mëdha të drogës. /Alsat.mk








