Zgjedhjet Kosovë: Kurti, akuza Serbisë për ndërhyrje – kemi prova!
Zgjedhjet Kosovë: Kurti, akuza Serbisë për ndërhyrje - kemi prova!

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti akuzoi Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor të 9 shkurtit. Shtatë instanca apo aktorë shtetërorë të Serbisë sipas Krtit e kanë realizuar ndërhyrjen, ndërsa i pari sipas tij është presidenti serb Aleksandar Vuçiq e kryetaerroristi Millan Radojçiq. Ndikimi thuhet se është dalluar edhe te komunitetet e tjera jo-shumicë, përveç asaj serbe. Kurti tha se ndërhyrja është realizuar në tre faza: para dhe pas fushatave zgjedhore dhe gjatë ditës së zgjedhjeve.
“Në këtë skenë të ndërhyrjes, kemi identifikuar shtatë instanca apo aktorë shtetërorë të Serbisë. I pari është presidenti i Serbisë, i dyti është kryeterroristi Milan Radoiçiq, pastaj është drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petroviq, Agjencia e Inteligjencës së Serbisë (BIA), mediat serbe të kontrolluara nga pushteti në Beograd, Lista Serbe dhe, së fundi, edhe struktura ilegale, përfshirë këtu Bankën Postare Kursimore, qendrat sociale, zyrat e pensioneve, Telekomin e Serbisë, si dhe ish-pjesëtarët e Policisë së Kosovës,” deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Kurti theksoi se, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara ku ka pasur dhunë fizike, përfshirë rrahje dhe vrasje, Serbia këtë herë ka përdorur metoda më të sofistikuara të ndërhyrjes.
“Metoda e parë është joshja financiare, përmes mbështetjes financiare prej 20,000 dinarësh, ose rreth 170 euro në baza mujore për gjithë personat e moshës madhore që janë të papunë. E dyta është kushtëzimi financiar, përmes rrezikimit të humbjes së beneficioneve financiare, aty bëjnë pjesë pagat, pensionet, shtesat për fëmijë, ndihmat sociale e të tjera. E treta është përçarja e rivalëve të Listës Serbe” tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Nenat Rashiq, ministri serb në Qeverinë e Kosovës, në konferencën e përbashkët me Kurtin akuzoi Qeverinë e Serbisë për shfrytëzimin e serbëve të Kosovës për interesat e tyre personale. Lista Serbe i hodhi poshtë akuzat e kryeministrit Kurti se shteti i Serbisë ka ndërhyrë në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë duke e ndihmuar këtë parti. Ndryshe, kryeministri Kurti theksoi se Kosova nuk do të lejojë më që zgjedhjet të manipulohen nga Beogradi dhe se institucionet e vendit do të vazhdojnë të punojnë për të garantuar zgjedhje të lira dhe demokratike për të gjithë qytetarët. /alsat.mk