Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, sërbët bojkotojnë
Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës, sërbët bojkotojnë

Kosova zhvillon zgjedhjet lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 sipas orarit zyrtar, nën masa të rrepta sigurie. Krahas qendrave të zakonshme, që janë kryesisht shkolla, votuesit në fshatrat e banuara me shqiptarë, votojnë edhe në 13 kontejnerë të vendosura në formën e qendrave alternative nëpër rrugë.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi, i ftoi qytetarët në veri të Kosovës që ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
“Në këtë mënyrë t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe t’i ndërtojnë institucionet legale demokratike”, deklaroi Kreshnik Radoniqi, Kryetar i Komisionit Qendror Zgjedhor.
Pjesëmarrja, megjithatë, është e ulët, pas thirrjeve të partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – Lista Serbe – për bojkotimin e procesit.
Kandidatja e vetme serbe në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Zveçanit, është Sllagjana Pantoviq.
“Po pres për qytetarët e Zveqanit se do të jetë më mirë se sa që ka qenë deri më tani, që zgjedhjet do të mbahen të qeta, në mënyrë të qetë dhe pa incidente, sepse mendoj se zgjedhjet po mbahen dhe duhet të mbahen në paqe, në dashuri dhe respekt për popullin dhe jo me urrejtje, kërcënime dhe shantazhe”, u shpreh Sllagjana Pantoviq, kandidate për kryetare të Zveçanit.
Qytetarët presin përmirësim të jetës dhe punësime. Ata thonë se mund të ketë bashkëjetesë mes serbëve dhe shqiptarëve.
“Mundet (me jetu bashkë shqiptarët e serbët), pse nuk mundet. Kur po shkon biznesi, shkojnë krejt”, tha një qytetar.
Komunat në veri kanë mbetur pa kryetarë nga nëntori i vitit të kaluar, kur përfaqësuesit serbë në atë zonë kanë dhënë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, për shkak të mospajtimit me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe. /Alsat.mk