Zgjedhjet në Serbi/ Në Luginë të Preshevës shqiptarët po zgjedhin mes dhjetë listave në dy Komuna
Zgjedhjet në Serbi/ Në Luginë të Preshevës shqiptarët po zgjedhin mes dhjetë listave në dy Komuna

Gazetar: Shkëlzen Aqifi
Në Luginë të Preshevës shqiptarët po zgjedhin mes dhjetë listave në dy Komuna. Kandidatët e Partisë për Veprim Demokratik dhe Alternativës për Ndryshim për kryetar të Preshevës Ardita Sinani dhe Visar Mehmeti u kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin sa më masivisht në zgjedhjet.
“Ftoj të gjithë qytetarët e komunës së Preshevës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, themelin e demokracisë dhe ftoj të i përgjigjen kësaj të drejte, për të votuar për një të ardhme më të mirë, sepse tre minuta për të votuar kushtojnë për katër vite të ardhshme”, tha Ardita Sinani, Kandidate e PVD-së për Kryetare të Preshevës.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë Luginën. E veçantë është, sepse fjalën e ka qytetari dhe qytetari vendos se kush do të udhëheqë Preshevën në katër vjetët e ardhshme”, u shpreh Visar Mehmeti, Kandidat i Alternativës për kryetar të Preshevës.
Edhe kandidatët për kryetar të Bujanocit Ragmi Mustafi i PVD-së, Nagip Arifi i PD-së dhe Arbër Pajaziti i Alternativës bënë thirrje për dalje masive në zgjedhje
“Ne besojmë që Bujanoci meriton më shumë, komuna meriton më mirë, shqiptarët meritojnë shumë më mirë. Ne konsiderojmë që me mendjen dhe zemër do të kemi më shumë Kosovë dhe më shumë Shqipëri edhe në Bujanoc”, theksoi Ragmi Mustafi, Kandidat i PVD-së për Kryetar të Bujanocit.
“Unë vetëm ftoj qytetarët që të dalin sa më shumë në votim dhe të votojnë më të mirin, dhe pas procesit, kur të mbyllet, do të festojmë”, tha Nagip Arifi, Kandidat i PD-së për kryetar të Bujanocit.
“Ka probleme shumë për shqiptarët në Serbi. Andaj do të angazhohemi në të gjithë instancat shtetërore e ndërkombëtare që këtë të drejtë t’ia sigurojmë qytetarëve tanë”, shtoi Arbër Pajaziti, Kandidat i Alternativës për kryetar të Bujanocit.
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi tha se dy ditët e fundit ka telefonata me numra të panjohur në gjuhën serbe për të votuar një listë të tyre, pas të cilave dyshohet të qëndrojnë përfaqësues të organeve shtetërore.
“Sa i përket ndërhyrjeve në proces zgjedhor, Serbia është një vend i cili tashmë është karakterizuar dhe është legjitimuar në një formë edhe me një rezolutë të parlamentit evropian nga një vend në të cilin ndërhyrjet në zgjedhje janë të shpeshta. Dyshimi jonë është se janë këta përfaqësues të organeve shtetërore që mundohen të ndërhyjnë në procesin zgjedhor, por besoj popullata jonë nuk do të bie pre e atyre ndikimeve”, tha Shaip Kamberi, Deputet.
Përsëritja e zgjedhjeve në Beograd po mbahet njëkohësisht me zgjedhjet lokale në qytetet dhe komunat e tjera, pas kërkesës së opozitës, edhe pse një pjesë e saj ka thënë se do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale. Asnjë palë nuk arriti ta formojë shumicën për Asamblenë e Qytetit në Beograd pas zgjedhjeve që u mbajtën në dhjetor, të cilat u kritikuan ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë, sipas të cilëve kishte “parregullsi” në zgjedhjet lokale dhe nacionale. Ato shqetësime u bënë jehonë akuzave nga opozita se partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aleatët e saj, kishin transportuan me autobusë votues posaçërisht në Beograd nga vende të tjera./Alsat.mk