Zgjedhjet në Shqipëri, Partia Socialiste e Edi Ramës shënoi fitore bindëse

Zgjedhjet në Shqipëri, Partia Socialiste e Edi Ramës shënoi fitore bindëse

Gazetare: Vjollca Aliti

Në Shqipëri ka përfunduar procesi i numërimit të votave në shumicën e bashkive. Partia Socialiste ka fituar bindshëm zgjedhjet vendore. Socialistët për herë të parë marrin pushtetin vendor në Shkodër, qytet që me dekada ishte bastion i demokratëve. Benet Beci i Partisë Socialiste mundi ndjeshëm rivalin Bardh Spahia nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”. Përveç Shkodrës Partia Socialiste ka fituar shumicën dërrmuese të bashkive në veri, përfshi Tropojën dhe disa bastione të tjera të djathta.

Kur kanë mbetur edhe pak kuti të panumëruara, duket se Erion Veliaj i Partisë Socialiste do të udhëheqë edhe për një mandat me Tiranën duke lënë mbrapa kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçin.

Socialistët triumfuan edhe në Kamëz, Vorë, Elbasan, Pustec, Kolonjë, Librazhd, Dropull, Roskovec, Libohovë, Rrogozhinë, Këlcyrë, Gramsh, Belsh, Përmet, Delvinë, Selenicë, Tepelenë, Peqin, Poliçan, Devoll, Lushnjë, Bulqizë, Mat, Klos, Korçë, Kuçovë, Sarandë, Patos, Dibër, Skrapar, Cërrik, Patos, Prrenjas.

Teksa e gjithë harta e Shqipërisë është kthyer në ngjyrën rozë të socialistëve, koalicioni “Bashkë Fitojmë” ka arritur të fitojë gjashtë bashki të vogla. Bashkia e vetme që bën diferencë dhe i jep rëndësi e peshë Berishës në këto zgjedhje, është ajo e Himarës.

Në një paraqitje për mediat kreu i PD-së Sali Berisha ditën e zgjedhjeve e ka cilësuar si ditë të rëndë për liritë qytetarëve, duke u shprehur se industria e blerjes së votës dhunoi si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve.

“Industria e tmerrshme e blerjes së votës, bota e krimit dhe oligarkisë dhunuan si kurrë në historinë e këtij vendi, votën e shqiptarëve. Janë të panumërta aktet, veprimet, të cilat dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj, terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë”, u shpreh Sali Berisha, Partia Demokratike.

Ilir Meta ka thyer heshtjen, përmes një postimi në facebook, pas humbjes së thellë në zgjedhjet vendoret. Në të njëjtën gjuhë me aleatin e tij në opozitë, Sali Berisha, edhe Meta i konsideron këto zgjedhje si narkozgjedhje të narkoshtetit.

Ndërkohë në raportin e parë për zgjedhjet, OSBE/ODIHR ditën e zgjedhjeve e vlerësoi si paqësore. Fushata ka qenë thellësisht politike dhe ka cenuar zgjedhjet e qytetarëve duke e bërë të vështirë procesin. Kështu deklaroi kryevëzhguesja e OSBE-ODIHR Audrey Glover në konferencën e parë për media për zgjedhjet lokale. Sipas saj, shqetësim ka qenë respektimi i kodit zgjedhor, pavarësia e medias dhe punësimi në administratë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button