Ziberi për Çashkën: Shkelja më e rëndë e së drejtës për arsimim të fëmijëve

Ziberi për Çashkën: Shkelja më e rëndë e së drejtës për arsimim të fëmijëve

Gazetar: Avni Tahiri

Pengimin e mësimit në gjuhen shqipe në Çashkë, Avokati i Popullit, Naser Ziberi e cilëson si një nga shkeljet më të rënda të së drejtës për arsimimin e fëmijëve në gjuhën amtare. Ziberi tha se në raportin vjetor të Aovkatit të Popullit rasti i Çashkës është notuar si forma më e lartë e diskriminimit mbi baza etnike.

“Në raportin vjetor për shkallen e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut për vitin 2023 është notuar si shkelje e rëndë e të drejtave të fëmijëve dhe shkelje e rëndë e të drejtës së arsimit në gjuhen amtare, me forma të segregacionit, formës më të lartë dhe më të rëndë të diskriminimit mbi baza etnike”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Në intervistë për Alsat, Ziberi shtoi se nuk përjashtohet edhe mundësia që kjo çështje të përfundoje edhe në gjykatën e Strazburgut dhe shteti të paditet, ndërsa qytetaret të realizojnë të drejtën e tyre.

“Unë si Avokat i Popullit do t’i konstatoj të gjitha këto padrejtësi dhe diskriminime dhe forma tjera të segregacionit që mund të shërbejnë në procedurat e më tejshme gjyqësore që mund të përfundojnë edhe në gjykatën e Strasburgut për lirinë dhe të drejtat e njeriut dhe në këtë mënyrë shteti të paditet dhe të ndëshkohet ndërsa qytetaret të realizojnë të drejtën e tyre”, u shpreh Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

Lidhur me marrëveshjen për ndërtimin e një objekti të ri vetëm për nxënësit shqiptarë, Ziberi tha se nëse ka kapacitete hapësinore në shkollën “Todor Janev” duhet të insistohet që nxënësit të vazhdojnë të ndjekin mësimin në atë objekt, pasi siç tha, Maqedonia nuk e ka luksin që për çdo iniciative të ndërtohet nga një shkollë sepse dikush nuk donë që nxënësit e një komuniteti tjetër të mësojnë në të njëjtën. Ndërkohë, nga dita e djeshme 178 nxënësit shqiptarë dhe maqedonas iu rikthyen mësimit në shkollën fillore “Todor Janev” pas gati tre muajve ndërprerje shkaku i protestës nga ana e banoreve maqedonas të Çashkës të cilët protestuan kundër funksionimit të një paraleleje shqipe në këtë shkollë fillore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button