Një ditë kujtimesh dhe emocionesh në Romë, ku është prezantuar dokumentari biografik për Marçello Lipin, “Tani fitoj unë”. Trajneri italian shkroi faqe të pashlyeshme të historisë së futbollit në stolin e Juventusit dhe padyshim në atë të kombëtares italiane. Ka kaq shumë futbollistë që kampioni i botës i ka drejtuar në karrierën e tij të gjatë.
Mes tyre është edhe Zinedin Zidan, i cili nuk ka dashur të mungojë në këtë event. Ish-mesfushori, i cili më pas filloi karrierën si trajner, foli për Sky Sport, duke iu rikthyer aventurës bardhezi.
“Marçello Lipi ishte ai që më bëri të vij tek Juventusi, i pari që besoi dhe më bëri të luaj. Nuk ishte e lehtë për të, unë erdha nga Franca, gjithçka ishte ndryshe, por Lipi më bëri të bëhesha ai që më pas u bëra”.
Më Zizu ka folur për karrierën e tij si trajner.
“Si lojtar kam pasur trajnerë të mëdhenj si Lipi apo Ançeloti, por më pas secili duhet të ndjekë rrugën e vet,” tha mes tjerash Zidan.
Një koment për të ardhmen ishte e pashmangshëm. Zidani së fundmi ka qenë i lidhur me Bajern Munihun, por në të kaluarën emri i tij është përmendur mbi të gjitha për Juventusin.
“Pse jo, çdo gjë mund të ndodhë. Për momentin jam duke bërë diçka tjetër, por është e sigurt që do të rikthehem në stol, do të më pëlqente,” tha në fund Zidan.
Trajneri, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të trajnuar kombëtaren franceze, nuk e përjashton një rikthim në Itali.








