Zjarre shkatërruese në Qipro, 4 viktima

Një sërë vendesh i janë përgjigjur thirrjeve të Qipros për ndihmë pas zjarreve të fuqishme pyjore të përshkuara nga zyrtarët si më të rëndat në të gjithë historinë e vendit. Britania e Madhe, Greqia, Italia e Izraeli janë në mesin e vendeve që po japin ndihmën e tyre, e këtu përfshihen edhe avionët cistern. Zyrtarët qipriotë thonë se lëshimi i ujit nga lart ka ndihmuar disi në fashitjen e flakëve , por paralajmërojnë se zjarret mund të marrin hov sërish. Flakët u përhapën fillimisht nga rajoni jugor Limassol dhe detyruan evakuimin e disa fshatrave, duke shkatërruar gjithçka në rrugën e tyre përfshirë dhe linjat e tensionit të lartë. Ministri i brendshëm qipriot Nicos Mouris konfirmoi se të katër viktimat e situatës tragjike nga zjarret ishin egjiptianë që punonin në një fermë. Qiproja përballej prej ditësh me një valë të ashpër të nxehti, dhe temperaturat që kapërcenin 40 gradët Celsius.