Zjarri në Tetovë, Prokuroria nesër pritet të nisë hetimet

Zjarri në Tetovë, Prokuroria nesër pritet të nisë hetimet

Gazetar: Bashkim Sulejmani

Cilësia e ajrit në Tetovë është përmirësuar ndërsa sasia e grimcave PM10 është minimale, falë erës që fryu gjatë natës.

Shkaqet e zjarrit në ish fabrikën e duhanit, mbeten të panjohura. Prokuroria nesër pritet t’i nisë hetimet pasi zjarri është shuar tashmë plotësisht.

Por pavarësisht se zjarri u shua, njësiti kundër zjarreve në Tetovë, thonë se rreziku nga përhapja sërish e zjarrit në këtë kombinat nuk është eliminuar.

“Rreziku ekziston deri në momentin kur do të bëhet bartja e materialit të djegur nga aty, sepse është material që ndizet shumë shpejtë. Kështu që ne, tërë kohës shkojmë e kontrollojmë vendin e ngjarjes por, ka edhe ekipe të policisë aty dhe kemi kërkuar që nëse del tym ose diçka jemi të gatshëm të shkojmë të intervenojmë”, tha Avni Ameti, NJTKZ.

Pas mbledhjes së djeshme në shtabin e krizës në komunën e Tetovës, po ashtu, është urdhëruar edhe kujdestari 24 orëshe e zjarrfikësve dhe urgjencës bashkë me policinë, në fabrikën ku dy ditë më parë shpërtheu zjarri. Paralajmërojnë kontrolle më të rrepta edhe për firmat të cilat merren me prodhim.

“Të vendoset kujdestari e zjarrfikësve në vendin ku ndodhi zjarri që u përhap në kompaninë private “Po Fix”, sektori i punëve të brendshme por edhe ndihma e shpejtë që në rast nevoje, të jenë aty në ndodh shpërthim i zjarrit sërish. Të angazhohet inspektorati komunal të bëj raport për gjitha objektet industriale se cilës kategori i takojnë dhe ku i deponojnë mbetjet industriale”, u shpreh Besat Durmishi, Shtabi i Krizës Komuna e Tetovës.

Lidhur me shpërthimin e zjarrit në ish kombinatin e duhanit, me reagim kanë dalë edhe këshilltarët e Listës së pavarur “Më mirë për Tetovën”.

“Duke pasur parasysh edhe vlerësimet e Qendrës për Menaxhim me Kriza që “po që se zjarri do të mbërrinte tek sillosat e gazit, gjysma e Tetovës nuk do ishte”, nuk kemi se si të mos trishtohemi për të ardhmen e qytetit. Për këtë arsye kërkojmë që urgjentisht të ndërmerren masa rigoroze për kontroll të këtyre rezervuarëve dhe njëkohësisht të bëhet dislokimi i tyre në zona ku nuk paraqesin rrezik për qytetarët”, thonë “Më mirë për Tetovën”.

Ndryshe, në zjarrin që shpërtheu dy ditë më parë në ish kombinatin e duhanit, mbetën të asfiksuar 6 zjarrfikës dhe një person civil, ndërsa ditë më parë, ndihmë në spitalin e Tetovës kanë kërkuar edhe katër zjarrfikës të tjerë.

Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë të lëshuar nga spitali./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button