Zonja e parë ukrainase: Ukraina po ndal agresorin i cili nesër mund të hyjë në qytetet tuaja

Zonja e parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka publikuar një letër në faqen e saj të Facebookut duke reflektuar për atë që po ndodhë në Ukrainë në dy javët e fundit që nga pushtimi rus.

“Pavarësisht garancive nga organet propagandistike të mbështetura nga Kremlini, të cilët e quajnë këtë një ‘operacion special’ – është, në fakt, vrasje masive e civilëve ukrainas”, tha Zelenska.

Në letrën e gjatë që ka shkruar, shtoi: “Me gjasë më e tmerrshme dhe shkatërruese nga ky pushtim janë viktimat fëmijë. 8-vjeçarja Alice vdiq në rrugët e Okhtyrkas teksa gjyshi i saj u mundua ta mbronte. Ose Polina nga Kievi që vdiq nga bombardimet me prindërit e saj. 14-vjeçari Arseniy u godit në kokë nga copëzat dhe nuk mundi të shpëtojë sepse ambulanca nuk mundi të arrijë tek ai në kohë për shkak të gjuajtjeve të vazhdueshme”.

“Foshnjat e para në luftë e panë tavanin e një bodrumi, fryma e tyre ishte ajër i hidhur i nëntokës, dhe ata u pritën nga një komunitet i ngecur dhe i terrorizuar. Në këtë pikë, ka dhjetëra fëmijë të cilët nuk e kanë njohur paqen asnjëherë në jetën e tyre”, ka shkruar ajo.

Zonja e parë ukrainase shfaqi edhe vështirësitë e kujdesit esencial mjekësor dhe rritjes së numrit të refugjatëve.

Ajo ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin e ka nënvlerësuar rezistencën e ukrainasve.

Falënderoi edhe njerëzit në botë për mbështetje.

I dha zë kërkesës së bashkëshortit të saj për ndalimin e fluturimeve mbi Ukrainë: “Mbylleni qiellin dhe ne do ta menaxhojmë luftën në tokë vetë”.

“Dëshmoj dhe i them botës: lufta në Ukrainë nuk është një luftë diku jashtë. Kjo është luftë në Evropë, afër kufijve të BE-së. Ukraina po ndalon forcën që në mënyrë agresive mund të hyjë në qytetet tuaja nesër me pretekstin e shpëtimit të civilëve”.

“Nëse nuk e ndalim Putinin, i cili kërcënon të nisë një luftë bërthamore, nuk do të ketë vend të sigurt në botë për askënd nga ne”, përfundoi ajo.

LEXO EDHE:

Back to top button