Adrien Llukes ka luajtur shkëlqyeshëm për Zvicrën në 1/8 e finales së Kupës së Botës për grupmoshën U17. Qendërsulmuesi 17-vjeçar, Llukes, ka nënshtetësi të Zvicrës dhe Kosovës, dhe për këtë arsye, mediumet në Zvicër kanë shfaqur “frikë” se mund ta humbin.
Mediumi “20minuten” ka shkruar një shkrim të gjatë për futbollistin e Sionit. Llukes ishte shënues i golit për 1:0 ndaj Irlandës, në fitoren 3:1 të Zvicrës U17. Ai u zgjodh edhe lojtari më i mirë i atij ballafaqimi. Llukes i ka dy gola të shënuara në Botërorin U17 në Katar.
Mediumi helvetik e ka vlerësuar atë si futbollist të shumë pozitave, si sulmues, mesfushor qendror, futbollist të pozitës së 10-shit, 8-shit, apo edhe në krah.
“Llukes ka nënshtetësi të Zvicrës dhe Kosovës dhe ka luajtur për Sionin që nga fëmijëria, njësoj si kushëriri i tij, Batien Thoma, i cili ka 157 paraqitje në Superligë. Është numër që Llukes ndoshta mund ta arrijë. Ai ishte titullar në njërën ndeshje të pjesës së dytë të edicionit të kaluar. Në moshën 16-vjeçare, ai debutoi në Superligë kundër Winterthurit”, ka shkruar “20minuten”.
Sipas “20minuten”, Llukes është kontaktuar nga FFK-ja. Por, Llukes ka thënë se aktualisht është i fokusuar në Kupën e Botës U17 në Katar, me Përfaqësuesen e Zvicrës U17. Zvicra U17 të premten nga ora 15:45 luan në çerekfinale ndaj Portugalisë.
Te Zvicra U17 në këtë Botëror luajnë edhe Erblin Sadikaj, Miran Sinani, Nico Lazri dhe Leonit Ibraimov./Koha.net/








