Zyrtarët zgjedhorë në SHBA thonë se “nuk ka dëshmi” që zgjedhjet janë kompromentuar

Zyrtarët e lartë federalë dhe shtetërorë amerikanë, që janë përgjegjës për sigurinë e zgjedhjeve, kanë thënë se nuk ka “asnjë dëshmi” se votimet në zgjedhjet e 3 nëntorit ishin ndryshuar apo kompromentuar.

- Advertisment -

Përmes një deklarate, zyrtarët e sigurisë kibernetike dhe zyrtarët zgjedhorë, hodhën poshtë pretendimet e pabazuara të presidentit Donald Trump dhe të disa republikanëve se ka pasur mashtrime zgjedhore, që çuan në fitoren e demokratit Joe Biden.

“Nuk ka asnjë dëshmi se ndonjë sistem i votimit fshiu apo humbi votat, ndryshoi votat ose se ky proces ishte kompromentuar”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Departamenti për Siguri Kibernetike dhe Agjencia për Siguri të Infrastrukturës.

“Zgjedhjet e 3 nëntorit ishin zgjedhjet më të sigurta në historinë amerikane”, thuhet në deklaratën e lëshuar më 12 nëntor.

Autorë të kësaj deklarate janë edhe presidentët e Asociacionit të drejtorëve të zgjedhjeve shtetërore dhe të Asociacionit kombëtar të sekretarëve të shtetit – të cilët janë përgjegjës për zgjedhjet në nivel shtetesh – si dhe anëtarë të komunitetit koordinues të qeverisë, që koordinojnë këshillet, ku përfshihen të gjithë shitësit kryesor të pajisjeve kryesore të votimit.

Publikimi i kësaj deklarate erdhi disa orë pasi Trump sërish postoi në Twitter, pa dhënë asnjë dëshmi, se pajisjet e votimit kanë “fshirë” 2,7 milionë vota në mbarë vendin dhe kanë ndryshuar qindra-mijëra vota në favor të Bidenit në Pensilvani dhe në disa shtete të tjera kyçe, ku presidenti ka humbur.

“Ndërsa ne e dimë se ka shumë pretendime të pabazuara dhe mundësi për dezinformata lidhur me procesin tonë zgjedhor, ne i sigurojmë të gjithë se kemi besim maksimal në sigurinë dhe integritetin e zgjedhjeve tona dhe ju po ashtu duhet të keni besim. Kur ju keni pyetje, drejtoni ato te zyrtarët zgjedhorë dhe besoni personave që administrojnë zgjedhjet”, thuhet në deklaratën e zyrtarëve zgjedhorë dhe federalë.

Që prej se mediat më të mëdha kanë shpallur fitues Bidenin më 7 nëntor, Trump ka nisur betejat ligjore për të përmbysur rezultatin, pavarësisht se nuk ka prezantuar dëshmi për parregullsi në zgjedhje, të cilat do të mund të ndikonin në rezultatin zgjedhor./REL/

LEXO EDHE:

Back to top button