1 muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët – Tregon detaje vëllai i Liridonës

1 muaj paraburgim për Naim Murselin dhe dy të tjerët – Tregon detaje vëllai i Liridonës

Gazetare: Saranda Selimi

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të dielën masën e paraburgimit ndaj Naim Murselit, Granit Pllavës dhe Kushtrim Kokallës për vrasjen e Liridona Ademajt.

Naim Murseli akuzohet për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, Granit Pllava për “Vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Kushtrim Kokalla për “marrëveshje për të kryer vrasje të rëndë”, shkruan Alsat.

Të treve u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.M me dashje që ta privojë nga jeta në mënyrë dinake bashkëshorten e tij, ishte marrë vesh me të pandehurin G.P për ta vrarë tani të ndjerën L.M, ku paraprakisht i pandehuri N.M e kishte pajisur me armë të pandehurin G.P dhe kishin inskenuar veprën penale të Grabitjes, e cila është realizuar me datë 29.11.2023 rreth orës 20:25 minuta në fshatin Bernicë, Komuna e Prishtinës, në atë mënyrë që derisa i pandehuri N.M ishte duke lëvizur me veturën e tij, në të cilën kanë qenë e ndjera L.M dhe dy fëmijët e tyre, papritmas ka dalë para veturës i pandehuri G.P me maskë në kokë dhe revole në dorë, ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri N.M me fëmijët kishin dalë nga vetura dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur, ndërsa në veturë kishte mbetur tani e ndjera, të cilën i pandehuri G.P e kishte qëlluar nga afërsia me një plumb në qafë dhe si pasojë e plagës vdekjeprurëse, e ndjera L.M kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa për këto veprime i pandehuri N.M, paraprakisht i kishte premtuar të pandehurit G.P shumën e të hollave prej 30,000.00 €”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Seanca që u mbajt sot, ishte larg syve të mediave e po ashtu as familjarët nuk morën pjesë.

Gjatë seancës, avokatët e dy të akuzuarve Granit Pllavës dhe Kushtrim Kokallës, nuk u deklaruan për media më gjerësisht, vetëm treguan se ata janë mbrojtur në heshtje.

I pranishëm që nga mëngjesi i ditës së sotme para Gjykatës, ishte edhe vëllai i të ndjerës, Liridona Ademaj, Leonard Ademaj.

“Liridona u vra në mënyrën më mizore dhe makabre që mund të jetë. Ishte grua, motër dhe nënë e fuqishme dhe doli të jetë heroinë dhe për fëmijët e saj. Ne po e përmbajmë vetën sepse ajo nuk donte asnjëherë të na shihte në këtë gjendje. Pasi ka mbërri në Prishtinë, ka folur me babin dhe e i ka kallxuar që kanë mbërri por që po shkojnë me hëngër darkë. Unë isha në punë dhe më telefonoi gruaja më tha që e kanë vrarë Liridonën, unë mendova që djalin e axhës sepse ai e ka emrin Liridon. Gjendja në shtëpi ka qenë shumë keq, prindërit kanë qenë të alivanosur. Nuk doja me besuar që Liridona ka vdekur”, tha Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt.

Vëllai i Liridonës ka thënë se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast. Në hyrje të ndërtesës, është mbajtur një protestë nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me mbishkrimin “Nuk ka paqe pa sigurinë e grave”./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button