Bullgaria i përgjigjet Mucunskit: BE-ja mund të përfshihet, por Shkupi duhet t’i përmbushë detyrimet

" "

Sofja iu përgjigj kërkesës së Shkupit që Bashkimi Evropian të përfshihet në bisedimet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Shefja e diplomacisë bullgare Velisllava Petrova thotë se Bullgaria nuk ka asgjë kundër përfshirjes së Bashkimit Evropian në bisedimet me Maqedoninë, por mbetet në qëndrimin se Shkupi duhet t’i përmbushë detyrimet e marra tashmë në rrugën drejt anëtarësimit në Union.

„Presim që edhe Republika e Maqedonisë së Veriut t’i përmbushë detyrimet e saj dhe të nisë ndryshimet e nevojshme, me qëllim që të përparojë në rrugën e saj evropiane“, thanë nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë.

Bullgaria këmbëngul që Maqedonisë t’i miratojë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, si hap i domosdoshëm për çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Deklarata vjen pasi shefi i diplomacisë maqedonase Timço Mucunski në një intervistë për MIA-n përmendi mundësinë që BE-ja të përfshihet në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes.

“A do të nënkuptojë kjo përfshirjen e vendeve të caktuara anëtare, apo përfshirjen e institucioneve evropiane, e rëndësishme është që në këtë proces të ketë të paktën edhe një palë tjetër, e cila do të na ndihmojë të fillojmë ta ndërtojmë besimin. Sepse, siç e ka theksuar disa herë edhe kryeministri, aktualisht mes nesh dhe Bullgarisë mungon në mënyrë thelbësore besimi.“ Deklaroi Timço Mucunski, Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

Kreu i LSDM-së Venko Filipçe ndërkaq kritikoi qeverinë për bllokimin e rrugës evropiane të vendit. Ndërsa shtetet e tjera po përparojnë drejt Bashkimit Evropian, Maqedonia mbetet pa rezultate konkrete, theksoi Filipçe. Ai tha se LSDM-ja do të mbështesë kushte më të mira për negociatat dhe garanci kundër bllokadave të ardhshme, por kërkoi përgjigje se çfarë do të ndodhë nëse qeveria nuk arrin t’i sigurojë ato dhe deri kur do të presë shteti.

 

“Nëse kjo qeveri siguron kushte më të mira në negociata ose garanci se nuk do të bllokohemi sërish në rrugën drejt integrimit evropian, ne do ta mbështesim këtë. Por shtrohet pyetja se çfarë do të ndodhë nëse nuk sigurohen garancitë dhe deri kur do të përpiqen të sigurojnë një lloj garancie, sepse koha po kalon” , tha Venko Filipçe, Kryetar i LSDM-së.

Bashkimi Evropian po përgatit një hap të ri në politikën e zgjerimit. Komisioni Evropian pritet të prezantojë më 30 shtator një dokument për të ardhmen e procesit të zgjerimit dhe integrimit gradual, i cili do të shërbejë si bazë për diskutimin strategjik të liderëve të BE-së në tetor. Brukseli ka përsëritur se Ballkani Perëndimor mbetet pjesë e së ardhmes së Bashkimit Evropian, ndërsa procesi i integrimit gradual po zgjerohet për t’u ofruar vendeve të rajonit përfitime konkrete të integrimit evropian edhe para anëtarësimit të plotë. Në këtë kuadër, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë Ballkanin Perëndimor nga 30 shtatori deri më 2 tetor, ndërsa në agjendën e saj është edhe Shkupi./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button