Gazetar: Zekirija Haxhiu
Debat dhe atmosferë e nxehtë në studion e emisionit N’Dritë në Alsat. Gjykata Speciale dhe vendimi i saj i fund përplasi ashpër Bekim Qokun nga VLEN dhe Arbër Ademin nga BDI.
E pikërisht duke dashur të arsyetojë statusin e ministrit të drejtësisë Jeton Shasivari i cili kërkoi të respektohet cilido vendim i Speciales, nënkryetari i VLEN Bekim Qoku tha se ministri thjeshtë ka mbrojtur atë që e ka krijuar Ali Ahmeti. Sa i përket vendimit të Speciales, Qoku tha se ishte vendim i padrejtë dhe i dëmshëm.
“Jeton Shasivari mbron një vendim të një gjykate të cilën e ka themeluar Ali Ahmeti. Një dhomë speciale ku vet Ali Ahmeti ka qenë atje si dëshmitar dhe ka dhënë deklaratë 27 orëshe, shumë e rëndësishme është kjo”, deklaroi Bekim Qoku nga VLEN.
Sekretari i BDI-së Arbër Ademi përgënjeshtroi këto pohime, duke sqaruar se Ahmeti në fakt për 27 orë është intervistuar nga Haga si themelues i UÇK-së dhe drejtues i Lëvizjes Kombëtare.
“Thotë viktimat duhet të jenë në qendër të vëmendjes, pra Shasivari e thotë, pavarësisht nëse janë shqiptarë, serb apo romë. Kjo është fjalori i Millosheviqit që thoshte nuk janë vetëm serbët viktimë e UÇK-së por janë edhe shqiptarët, romët, të gjitha komunitetet jo shqiptare. Kështu thonte Millosheviqi……”, u shpreh Ademi.
Të pyetur mbi ri aktualizimin e lëndëve të Hagës që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, Qoku tha se nuk ishte në dijeni ndërsa Ademi konfirmoi se në Kushtetuese vetëm se ka nismë që para dy viteve.
“Rastet e Hagës unë mendoj se kanë qenë temë diskutimi në Marrëveshjen e majit 2007 midis Ali Ahmetit dhe Nikolla Gruevskit dhe meqë ajo marrëveshje kurrë nuk u bë publike, aty Ali Ahmeti supozohet që ka bërë një Pazar për shumë çështje të rëndësishme kombëtare si për gjuhën, ligjin e branitellave e për shumë çështje të interesit kombëtar”, u shpreh më tej Qoku.
“Këto përfshihen me ligjin për amnisti të miratuara në mars të vitit 2002 dhe ska të bëjë fare me atë që po thotë z.Qoku, me marrëveshjen e majit 2007. Pra ligji për amnisti është miratuar në vitin 2002, ka pasur paraprakisht falje për disa persona nga presidenti Trajkovski asaj kohe…. Dhe po ju them se është në Gjykatën Kushtetuese dhe nëse doni ta dini, gjyqtari referues edhe referatin për këtë çështje”, tha Ademi.
Sipas Ademit nisma në Kushtetuese është dorëzuar nga kreu i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, megjithatë si Ademi ashtu edhe Qoku u pajtuan se nuk do të lejohet plagë të tilla të rihapen./Alsat.mk








