Gazetar: Zekirija Haxhiu
Emërime të reja në kryesi të LSDM-së. Kryetari i komunës së Qendrës Goran Gerasimovski është zgjedhur nënkryetar i kësaj partie në mbledhjen e mbrëmshme të Kryesisë Qendrore. Ndonëse mesazhi i tij ishte se duhet të qëndrojnë të bashkuar, vitet e fundit kjo nuk po vërehet në këtë parti, veçanërisht pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Gjithçka kulminoi edhe pas zgjedhjeve lokale kur dorëheqje dhanë nënkryetarët dhe kryesia qendrore e partia mbeti me vetëm 6 komuna të fituara. Deputetja e këtij subjekti politik Sllavjanka Petrovska, ndër më të zëshmet për reforma tha për Alsat se nuk e ka ndërmend të ndryshojë qasjen e saj për luftë brenda partisë pasi siç shprehet, mungon dialogu i vërtetë dhe kapaciteti politik.
“Mungesa e dialogut të vërtetë, mungesa e kapacitetit politik të një pjese të udhëheqësisë për udhëheqjen e partisë, dhe tradhëtia e anëtarësisë janë arsyet për të cilat kam folur dy vitet e fundit në parti, por jo vetëm unë. Shumë bashkë partiakë e kanë bërë të njëjtën, njëkohësisht duke ofruar zgjidhje për dalje nga kjo gjendje. Kryetari dhe një pjesë e udhëheqësisë i injoruan brengat tona dhe ndihmën e ofruar. Konsiderojmë se LSDM duhet të ristartohet përmes reformave të brendshme partiake, në të kundërtën do të zhduket nga skena politike”, u shpreh Sllavjanka Petrovska për Alsat.
Gjendja e tillë e social demokratëve u përshtatet edhe partisë në pushtet, VMRO-DPMNE-së. I bëjnë thirrje Filipçes që të vazhdojë me udhëheqjen e partisë sa më gjatë të jetë e mundur.
“E kuptojmë gjendjen në të cilën gjendet Venko Filipçe dhe problemet e shumta të brendshme partiake. Nga aspekti i VMRO-DPMNE-së, e vërteta flet se për ne nuk ka zgjidhje më të mirë nga ajo që Venko Filipçe të jetë kryetar i LSD-së. E inkurajojmë që të mos heqë dorë dhe të vazhdojë të udhëheqë LSD-në”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Të gjitha këto nga LSDM i konsiderojnë si sulm të qëllimshëm pasi partia e tyre së fundmi ka filluar të zbulojë krime dhe tenderë të dyshimtë të pushtetit.
“Defokus i platformës 2.0. Sulm mbi LSDM-në dhe kryetarin Venko Filipçe. LSDM dhe kryetari Filipçe çdo ditë janë në teren dhe luftojnë kundër bandës së Mickoskit. VMRO është në rënie të lirë. Për këtë duan ta shkatërrojnë LSDM-në por nga kjo nuk ka asgjë”, u shprehën nga LSDM.
Pas dorëheqjes së Dimitar Kovaçevskit si kryetar partie në pranverë të vitit 2024, udhëheqjen e partisë e mori përsipër Venko Filipçe e më pas në vitin 2025 fitoi dhe mandat katër vjeçar. Pas zgjedhjeve lokale vitin e kaluar, dorëheqje dhanë zëvendëskryetarja Fani Karanfillova Panovska, nënkryetarët Kaja Shukova, Kristina Kostova, Metodija Ilievski e Ana Çupeska, si dhe sekretari Aleksandar Dimitrievski. Kongresi i fundit i LSDM-së u mbajt në qershor të këtij viti ku u miratua platforma e re politike./Alsat.mk








