Mali i Zi mbyll dyert pa viza për tre shtete, vendimi hyn në fuqi në nëntor

" "

Qeveria e Malit të Zi miratoi informacionin për nevojën e anulimit të marrëveshjeve me të cilat rregullohet regjimi pa viza me Federatën Ruse, Bjellorusinë dhe Turqinë. Siç thuhet në njoftim do të iniciohet edhe lidhja e një marrëveshjeje të re me Turqinë për mbajtësit e pasaportave diplomatike, zyrtare dhe speciale. Qeveria e Malit të Zi më 23 korrik të këtij viti miratoi ndryshimet në Rregulloren për regjimin e vizave, me të cilat përcaktohet se, nga 1 nëntori, shtetasve të vendeve të përmendura do t’u nevojitet vizë për hyrje, kalim nëpër territor dhe qëndrim në Mal të Zi. Me këtë u përmbush një nga kriteret përfundimtare për mbylljen e Kapitullit 24 të negociatave – Drejtësia, liria dhe siguria, në kuadër të negociatave të anëtarësimit me BE-në, si dhe një nga obligimet kryesore të Agjendës së Reformave. Prej vitesh, sa u përket ardhjeve vjetore të të huajve në Mal të Zi, rusët kryesisht zënë vendin e dytë për nga numri, menjëherë pas atyre që vijnë nga Serbia. Komisioni Evropian që një kohë të gjatë u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Malit të Zi, që t’i harmonizojnë politikat e tyre të vizave me rregullat e BE-së, me qëllim të zvogëlimit të rrezikut nga migrimi i parregullt dhe keqpërdorimi i regjimeve pa viza. Mali i Zi deri më tani ka mbyllur përkohësisht 18 nga gjithsej 33 kapitujt që përfshihen në procesin negociues për anëtarësim në BE./Aslat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button