1-vjetori i çlirimit të Bucha, disa liderë të vendeve europiane vizitojnë sot Ukrainën

1-vjetori i çlirimit të Bucha, disa liderë të vendeve europiane vizitojnë sot Ukrainën

Tre liderë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian kanë mbërritur në Kiev mesditën e së premtes, sipas mediave ukrainase, në kontekstin e mbështetjes jo vetëm morale, por edhe materiale për Ukrainën.

Sipas mediave lokale, bëhet fjalë për liderët e Sllovakisë Eduard Heger, i Sllovenisë Robert Golob dhe lideri i Kroacisë Andrej Plenkoviç. Ata do të marrin pjesë në një samit që shënon njëvjetorin e çlirimit të Bucha-s.

Sipas qeverisë kroate, në takimin e quajtur “Bucha – Përgjegjësia e Rusisë për krimet në Ukrainë” do të marrin pjesë edhe presidenti Volodymyr Zelensky dhe presidentja moldave Maia Sandu, mbërritja e të cilëve ende nuk është raportuar.

Samiti nuk është njoftuar zyrtarisht nga autoritetet ukrainase si dhe vizitat e liderëve europianë në Kiev. Zelensky, megjithatë, shënoi përvjetorin e parë të çlirimit të Bucha-s nga Forcat e Armatosura të Ukrainës në postimin e tij në Telegram. Bucha, një qytet i vogël afër Kievit, u pushtua nga trupat ruse menjëherë pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës.

“Bucha dhe rrethi i Buchas 33 ditë okupim. Më shumë se 1,400 viktima, duke përfshirë 37 fëmijë. Më shumë se 175 njerëz u gjetën në varreza masive dhe dhomat e torturave. 9,000 krime lufte ruse,” shkroi Zelensky.

“365 ditë që kur ky është një qytet i lirë ukrainas. Një simbol i mizorive të ushtrisë së vendit pushtues. Ne nuk do të falim kurrë. Ne do të ndëshkojmë të gjithë fajtorët.”

Plenkoviç tha në Twitter se ai tashmë ishte takuar me kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal, duke shtuar se Kroacia “avokon për rrugën europiane të Ukrainës, integritetin territorial dhe riintegrimin e territoreve të okupuara”.
Kryeministri kroat është planifikuar gjithashtu të marrë pjesë në përkujtimin e viktimave të agresionit rus si dhe në ndarjen e çmimeve të veteranëve ukrainas.
Media sllovake Aktuality raportoi mbërritjen e Hegerit në Ukrainë së bashku me ministrin e mbrojtjes të vendit Jaroslav Nad.
Ata po takohen me zyrtarë të lartë ukrainas për të diskutuar ndihmën e mëtejshme ushtarake dhe integrimin e Ukrainës me Bashkimin Europian.

LEXO EDHE:

Back to top button