100-ditëshi, Mexhiti prezanton rezultatet, mburret me mbylljen e bixhozit “online”
100-ditëshi, Mexhiti prezanton rezultatet, mburret me mbylljen e bixhozit "online"
Gazetar: Avni Tahiri
Në arritjet e 100-ditëshit të qeverisjes së koalicionit VMRO-DPMNE-VLEN, zëvendës Kryeministër i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ndër të parat veçoi luftën kundër kazinove dhe mbylljen e bixhozit online, ndërsa shtoi se lufta kundër bixhozit do të vazhdoj edhe më tej.
“ Qeveria e kaluar e solli bixhozin në çdo rrugë, në çdo lagje, para çdo shkolle dhe këndi lojërash në fund ata donin ta sillnin në kompjuterët dhe telefonat e fëmijëve tanë. Këtë e ndaluam, ua hoqëm licencat e pa ligjshme tre kompanive për internet bixhoz. I hoqëm nga faqet e internetit që organizojnë në mënyrë të ligjshme ose të pa ligjshme bixhoz. Realizuam një premtim që askush nuk e mendonte se do ta realizonim”, tha Izet Mexhiti – Kryeministër i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Ndër të arriturat tjera të 100 ditëshit qeverisje, Mexhiti theksoi edhe vendimin e qeverise për ndarjen e 35 milion eurove për kampusin e Universitetit Nënë Tereza në Shkup .
”Qeveria e RMV-së mori vendim për ndarjen e 35 milion eurove për kampusin e universitetit Nënë Tereza. Kjo është ndarja e parë kaq e madhe dhe domethënëse e mjeteve për sigurimin e arsimit të lartë dhe cilësor në gjuhen shqipe në RMV. Vetëm në këtë mënyrë do të kemi sukses të mbrojmë dhe të avancojmë gjuhen shqipe dhe përdorimin e saj”, shtoi Izet Mexhiti – Kryeministër i Parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Në të arritura e 100 ditëshit të qeverisjes, Mexhiti shtoi se janë ballafaquar me sfida të shumta të mjedisit jetësor siç është ndotja e ajrit, menaxhimin e largimit të mbetjeve, infrastrukturën e furnizimit me ujë dhe largimin e ujërat e zeza. Ndërsa shtoi se sfidë e shekullit është mjedisi jetësor i shëndetshëm për të cilën si Ministër i Mjedisit Jetësor tha se janë fokusuar në zbatimin e politikave që do të sigurojnë implementim më të mirë të standardeve ekologjike dhe mbrojtjen e mjedisit jetësorë./Alsat.mk