100 mijë euro për festën e Marrëveshjes së Ohrit

100 mijë euro për festën e Marrëveshjes së Ohrit

Gazetare: Fatlume Dervishi

Rreth 100 mijë euro para publike do të kushtojë festa e 21 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Organizator i saj është Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive kurse firma që ka fituar tenderin e organizimit është Arbëria Dizajn nga Tetova. Sipas të dhënave të Radios Evropa e Lirë, nga tenderët, rreth 1200 euro në ditë do të shpenzohen për akomodimin në hotel të të paktën 50 personave, keteringu është paraparë të kushtojë 50 euro për person, për shërbime hotelerike do të ndahen 40 euro për person, për kafe dhe pije freskuese 10 euro për person, ushqimi shtesë nga menyja do të kushtojë rreth 65 euro për person.

Nikoqirët do të fitojnë 50 euro mëditje, nga 10 mijë euro të marrin këngëtarët dhe muzikantët nga jashtë vendit kurse ato vendas do të marrin nga rreth 7350 euro. Drejtuesit e koncertit do të paguhen nga rreth 700 euro, përkthyesit nga rreth 1 mijë euro. Do të ndahen para edhe për pajisje, zërim, ndriçim, incizim dhe fotografim të eventit. 5600 euro janë ndarë për vargjet poetike dhe muzikën e këngës për përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit.

Festa e Marrëveshjes së Ohrit (100 000 euro)

1200 euro në ditë për akomodim në hotel, 50 persona
50 euro ketering për person
40 euro për shërbime hotelerike për person
10 euro për kafe dhe pije freskuese për person
65 euro ushqim nga menyja për person
50 euro mëditje për nikoqirët
10 000 euro për këngëtarët e jashtëm
7 350 euro për këngëtarët e vendit
700 euro drejtuesit e koncertit
1 000 euro përkthyesit
5 600 euro për krijuesin e këngës së përvjetorit
1 300 euro për ekspertët në shkollën “Peace Forum Dialogue”
Përveç manifestimit kryesor, në sheshin “Skenderbeu” në Shkup, është organizuar edhe shkolla për të rinj “Peace Forum Dialogue” në Mavrovë. Ekspertët e angazhuar për ligjërim në këtë shkollë janë paguar nga 1300 euro për event.

Zv/kryeministri i parë Artan Grubi, synon që këtë event ta shndërrojë në festival tradicional.

“Ne përpiqemi që vitin e ardhshëm ai të jetë i ngjashëm me festivalin “Sunny Hill” i cili u mbajt para një jave në Prishtinë dhe të cilin e organizon Dua Lipa ose diçka e ngjashme me festivalin “Exit” në Serbi ose festivale të tjera, d.m.th. festival 2-3 ditor i cili do të mbahet në Shkup dhe shpresoj se vitin e ardhshëm të vijë, pse jo, Bebe Rexha nga Maqedonia”, deklaroi Artan Grubi, zv/kryeministër i parë.

Arbëria Dizajn ka veprimtari bazë shtypjen e librave, përfshirë edhe dëftesave por është edhe ndër donatorët kryesorë të BDI-së. sipas Radios Evropa e Lirë, në katër vitet e fundit, firma ka marrë 61 tenderë me vlerë prej 4 milion eurosh.

Hiç më larg se në fillim të qershorit, BDI-ja organizoi një event të ngjashëm për 20 vjetorin e themelimit të partisë. Shpenzimet nuk u bënë kurrë publike sepse nga partia thanë se paratë vinë nga donatorët por besohet se edhe ajo arriti vlerën e 100 mijë eurove./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button