Shënohet 21 vjetori i masakrës së Lubetenit, banorët: Politikanët vijnë vetëm për zgjedhje

Shënohet 21 vjetori i masakrës së Lubetenit, banorët: Politikanët vijnë vetëm për zgjedhje

Gazetar: Mefail Ismaili

Luboteni shënoi 21 vjetorin e masakrës së 12 gushtit, kur mëngjesin e kësaj dite të vitit 2001 njësitet policore e ushtarake vranë 10 banorë, dogjën 14 shtëpi dhe arrestuan mbi 100 banorë të tjerë të cilët u maltretuan me arsyetimin se në fshat ka qenë e pranishme UÇK-ja.

Në këtë operacion u vra 6-vjeçari Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami dhe Atulla Qaili.

Pas 21 viteve, banorët e Lubetenit, familjarët e të vrarëve dhe të burgosurve, thonë se ende nuk e kanë marrë atë që meritojnë. Përveç se nuk kanë marrë asnjë lloj kompensimi, ende nuk është rregulluar statusi i familjarëve të viktimave si dhe të torturuarve dhe të burgosurve pa faj. Banorët shtojnë se politikanët e vizitojnë fshatin vetëm për zgjedhje.

“Çka kemi prit me marr prej partive shqiptare dhe prej pushtetit shqiptar nuk e kemi marrë… ne si fshat i Lubotenit përballemi me shumë gjëra elementare, së pari me ujin, shkollën, sivjet na kanë asfaltuar rrugën…. punësimet janë të dobëta. Politikanët si politikan më shumë vijnë na vizitojnë si fshat kur ka zgjedhje”, u shpreh një banor i Lubetenit.

“Kur vijnë premtojnë krejt, sallën, shkollën, ambulanten, i premtojnë të gjitha, kur vjen fundi nuk ka, 70 mijë euro ndahen për koncert, a për Luboten nuk ndahet asgjë”, tha një tjetër banor i Lubetenit.
Masakra e Lubotenit ishte një nga rastet e vetme që u proceduan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte.

Për krimet ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari ishte edhe ish- ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski i cili u lirua nga akuza. Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, shkelje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai ishte liruar pas 8 vjetëve burg. Nga ana tjetër, Tarçullovski, por edhe Boshkovski, nga ana e shtetit konsiderohen dhe nderohen si heronj kombëtarë të konfliktit të vitit 2001./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button