Mbërrin grupi i parë i afganëve në Kosovë
Qytetarët afganë, që kanë punuar me NATO-n, së bashku me familjet e tyre, do të qëndrojnë përkohësisht në Kosovë, derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara. Në mesin e tyre ka gra dhe fëmijë.
Afganët që kanë arritur në Kosovë, do të strehohen në një kamp të një kompanie ndërtuese, që gjendet pranë bazës ushtarake amerikane “Bondsteel” në Ferizaj.
ër të pritur qytetarët afganë, në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dolën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett.
Gjatë një konference për media, presidentja Vjosa Osmani tha se qytetarët e Kosovës e dinë se çfarë do të thotë të detyrohesh të largohesh nga shtëpia, andaj ajo tha se për afganët, Kosova ka hapur “jo vetëm dyert, por edhe zemrat tona”.
“Ne jemi krenarë që qëndrojmë pranë partnerëve tanë dhe kontribuojmë në një përpjekje të të gjithë këtyre partnerëve prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri te shteti i fundit i NATO-s në mënyrë që kjo tragjedi njerëzore të pakësohet dhe ata që vijnë këtu në Kosovë të ndihen që më në fund janë të sigurt”, tha Osmani.
Në aeroport, janë të pranishme forca policore të Kosovës dhe pjesëtarët e KFOR-it për të mbajtur sigurinë.
Në aeroportin “Adem Jashari” po ashtu janë parë disa autobusë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të transportojnë afganët.








