Fillimi me punë i produktsjellësit Selanik – Shkup mbetet vetëm paralajmërim

Për momentin, Qeveria maqedonase dhe kompania greke Hellenik Petroleum kanë vetëm vullnet të mirë për ta lëshuar përsëri produktsjellësin Selanik-Shkup. Informacionet që Alsat i mori nga Qeveria janë se të dy palët nuk kanë vendosur ende në tryezë kushtet për aktivizimin e produkstjellësit. Nga OKTA, kompania që është në pronësi të Hellenik, vetëm na e konfirmoi se ka negociata dhe pret një zgjidhje. Ata nuk iu përgjigjën pyetjeve tona në lidhje me procesin gjyqësor të kompanisë greke kundër Maqedonisë për mosrespektim të marrëveshjes shitblerëse për OKTA-n midis qeverisë maqedonase dhe Hellenik Petroleumit, e cila për herë të dytë kërkon dëmshpërblim nga shteti në vlerë prej mbi 30 milion eurosh.

“Lëshimi përsëri në përdorim i produktsjellësit Selanik – OKTA do të sigurojë përmirësime të konsiderueshme në furnizimin e OKTA-s, me ç’rast OKTA gjithmonë mirëpret arritjen e një zgjidhjeje midis palëve të interesuara të produktsjellësit”, ,njoftojnë nga OKTA.

Në dhjetë ditët e fundit, Kryeministri Zoran Zaev dy herë ka deklaruar se ka negociata për aktivizimin produktsjellësit i cili nuk punon që nga viti 2013, pasi rafineria e Shkupit OKTA nuk ka prodhuar derivate të naftës.

“Ju e dini që jemi duke negociuar me OKTA-n për lëshimin e naftësjellësit. Në cilat rrethana do të dakordohemi. E gjitha kjo për energjetikën është potencial i madh”, tha Zoran Zaev Kryeministër.

Përmes produktsjellësit është planifikuar shpërndarja e karburantit dizel i cili do t’i zëvendësojë rezervuarët me të cilët kjo lëndë djegëse bartet nga Greqia. Kjo nuk është hera e parë që çështja e vënies në funksion të produktsjellësit të aktivizohet. Ka pasur negociata dy vjet më parë kur skadoi marrëveshja e dëmshme për Maqedoninë, me të cilën qeveria duhej të prokuronte 500 mijë tonë vaj mazut në vit nga OKTA, megjithëse vendi nuk ka nevojë për një sasi të tillë. Në pesë vitet e fundit, ky rregull nuk është respektuar nga pala maqedonase dhe kjo është arsyeja pse qeveria maqedonase tashmë u ka paguar kompensim prej rreth 40 milion grekëve.

Ile Petrevski

 

LEXO EDHE:

Back to top button