12 Milionë Euro Investim, por mungesa e mjekëve mban listat e pritjes
Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Edhe pse në Spitalin “8 Shtatori” u rinovuan shtatë salla operative me investim prej 12 milionë eurosh përmes programit TAV, lista e pritjes për operacione nuk pritet të zvogëlohet. Sipas drejtorit të spitalit, problemi kryesor mbetet mungesa e kuadrit profesional, ndërsa përqendrimi i pacientëve nga i gjithë vendi në Shkup më shumë e mbingarkon sistemin shëndetësor.
“Blloku operartiv do të mundësoj ndoshta edhe në mbushjen e listës së pritjes, por nëse kemi numër të mjaftueshëm të personelit mjekësor. Në shëndetësi mungon personeli mjekësor, nuk mungojnë kushte. Kushtet që i shihni sot janë vetëm vlerë e shtuar, ne duhet patjetër të ekipohemi në mënyrë profesionale”, deklaroi drejtori i Spitalit “8 Shtatori”, Sinisha Stojanoski
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, tha se krijimi i kuadrove të reja mjekësore kërkon të paktën 5 deri në 10 vite. Si zgjidhje të përkohshme, po shqyrtohet përfshirja e mjekëve nga diaspora përmes telemjekësisë dhe mundësia e pajisjes së tyre me licenca pune në bashkëpunim me Odën e Mjekëve.
“Për fat të keq, kapacietet shëndetësore, apo ekspertë dhe profesionistë nuk krijohen për një dit, për një javë apo për dy vite, por krijohen për 5 deri në 10 vite. Ne për herë të parë jemi duke punuar në një strategji kombëtare për kapacitetet njerëzore në shëndetësi…dhe shpresoj se kjo strategji kombëtare të na ndihmojë që për 5 vite të mos jetë temë se sa mjekë dhe infermierë na nevojiten”, tha ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu
Përveç shtatë sallave operative që janë rinovuar plotësisht në Klinikën “8 Shtatori”, në rikonstruksion janë përfshire edhe repartet e kujdesit intensiv dhe të patologjisë, zyrat administrative, konstruksioni i çatisë, laboratorët klinikë dhe hapësirat shoqëruese. /Alsat.mk








