Lojërat e fatit, pushteti lavdëron draftin e ri
Gazetare: Fatlume Dervishi
Draftin e plotë të propozim-ndryshimeve të ligjit për lojërat e fatit, i cili një ditë më parë u miratua në qeveri, nuk e kanë publikuar akoma institucionet kompetente. Kryeministri Hristijan Mickoski nuk zbardhi detaje të tjera por vetëm tha se institucionet gjatë kohë kanë punuar për këtë zgjidhje.
“Me ato reklama dhe billborde, qytetet kanë filluar të na ngjajnë sikur bastoret janë industria kryesore. Kjo nuk na shkon përshtat. Me këtë ligj do t’i jepet fund atij perceptimi te qytetarët. Nëpër ato kazino, sikur të ishte rregull, hapen zyra ku jepen kredi të shpejta. Edhe në atë do të punojmë si çështje e radhës. Sipas analizës që kemi bërë, erdhëm në përfundim se pjesa më e madhe e njerëzve si arsye për të lëshuar shtetin shpejt e përdorin edhe atë argument, borxhet që kanë mbledhur. Me këtë ligj, në kuptimin moral të fjalës, në mënyrë dramatike do ta përmirësojmë gjendjen në shtet” thotë Hristijan Mickoski, Kryeministër.
Nga VLEN thonë se kjo zgjidhje ligjore është masa më e fortë deri tani kundër kësaj dukurie negative.
“Ata që sot përpiqen të na shesin patriotizëm, janë të njëjtët që dje i hapën dyert bixhozit, e kthyen kumarin në biznes normal, madje e lanë të hyjë deri te dera e shkollave. Pasojat nuk i paguan ata, por familjet shqiptare, maqedonase, turke, rome dhe çdo qytetar që e pa nga afër shkatërrimin që sjell varësia nga bixhozi. Kjo po ndryshon me qeverisjen VLEN. Propozim-ligji i miratuar për lojërat e fatit sjell masat më të forta deri më tani kundër industrisë së bixhozit…” thonë nga VLEN.
Sipas njoftimit të qeverisë prej një ditë më parë, më këto ndryshime parashihet që; të gjithë objektet ku organizohen lojërat e fatit, në kazino, klubet e automateve dhe lojërat elektronike të fatit të jenë të vendosura 500 metra larg shkollave. Në bastoret që ndodhen brenda 500 metrave larg shkollave, nuk do lejohet vendosja e terminaleve elektronike, video-lotari dhe pajisjeve të tjera për lojëra elektronike të fatit.
Me propozimin ndalohet reklamimi jashtë hapësirave afariste nëse ai ka për qëllim nxitjen e qytetarëve për të marrë pjesë në lojërat e fatit, ndalohet përdorimi i mesazheve që bixhozin e paraqesin si rrugë drejt suksesit financiar, jetës më të mirë apo si zgjidhje për problemet personale dhe sociale, ndalohet reklamimi përmes personazheve publike dhe përmbajtjeve të orientuara drejt të miturve.








