13 vjet në dializë, 8 vjet në pritje për transplantim / Kjo është historia e Dançe Stojkovskës

13 vjet në dializë, 8 vjet në pritje për transplantim / Kjo është historia e Dançe Stojkovskës

Gazetare: Ajnur Bafqari

Vuan nga sëmundja e veshkave. 13 vjet është në dializë, ndërsa për rreth 8 vjet është në listën e pritjes për një donator që të bëjë transplantim. Dançe Stojkovska, është njëra prej 1 540 pacientëve që janë në fazën përfundimtare të sëmundjes së veshkave dhe i nënshtrohen trajtimit me dializë. Stojkovska thotë se dializa ndryshon jo vetëm jetën e pacientit por të gjithë familjes së tij.

“Është shumë me rëndësi që në fazë të hershme të zbulohet sëmundja, që të prolongohet dializa. Nuk kam donator të lidhur, jam në listën e pritjes dhe shpresoj që një ditë, kam ëndërr dhe dëshirë që të mund të bëj transplantim, që të përmirësohej jeta ime dhe e familjes time. Në listë jam tashmë 7-8 vite. Pasi kur erdhi koncesioneri i ri, u zgjerua lista. Babai im është ish pacient që ishte në dializë, ai ka vdekur, 13 vite ishte në dializë. Me nënën time nuk përshtatemi, kështu që nuk mund të më dhurojë veshkën”, deklaroi Dançe Stojkovska, Qendra e dializës Prilep.

Sipas të dhënave të shoqatës së qytetarëve me sëmundje të veshkave “Nefron”, në Maqedoni vlerësohet se sëmundja kronike e veshkave është e pranishme në 10 për qind të popullatës, ndërsa 1 540 persona janë me dializë. Pacienti më i vjetër me sëmundje të veshkave është 92 vjeçar, ndërsa më i riu 4.

“Operohet me listë të pritjes prej 120 deri 150, megjithatë lista reale e pritjes është shumë më e madhe, pasi në mungesë të transplantimit të vazhdueshëm kadaverik, ajo listë nuk pasurohet, pasi nevojitet të bëhen analiza që kushtojnë, ndërsa kemi numër shumë të vogël të transplantimeve kadaverike, ose kemi vite kur nuk kemi aspak. Apeli ynë është që nëse mbijeton transplanti kadaverik, atëherë edhe ajo listë do të rritet”, tha Dushko Gjorgjiev, “NEFRON”.

Në ndërkohë si rezultat i një transplantimi multiorganik, prej një donatori të vdekur u bë transplantim i organeve tek 4 pacientë. Tek një pacient u transplantua zemra, tek një tjetër mëlçia, ndërsa dy persona u pasuruan me veshka. Për transplantim të veshkave presin 140 pacientë në vend, rreth 15 për transplantim të zemrës dhe rreth 14 për të mëlçisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button