14 marsi, ditëlindja e Ajnshtajnit

14 marsi, ditëlindja e Ajnshtajnit

Albert Ajnshtajn është lindur në Ulm të Gjermanisë më 14 mars të vitit 1879, në një familje hebrenjsh.

Kur ai ka mbushur pesë vjet, i ati i ka dhënë një busull, e cila menjëherë i ka krijuar Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i ka shpjeguar atij se ajo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.

Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn ka treguar se nuk e ka pasur me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u ishte lejuar të bënin pyetje, e ka bërë atë të ndihej si i burgosur.

Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit, me ç’rast, Ajnshtajni ka shpjeguar se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai ka shtuar se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vendndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.

Ajnshtajn ka botuar në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”. Dhjetë vjet më pas, ai ka botuar një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore, që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.

Çmimi Nobel në Fizikë, Ajnshtajni e ka fituar në vitin 1921 për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik. Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone pasi mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim ka çuar në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.

Albert Ajnshtajn ka vdekur në moshën 76-vjeçare më 18 prill të vitit 1955 në SHBA.

LEXO EDHE:

Back to top button