16 persona të arrestuar për sulmin në Vjenë, hetimet shtrihen edhe në Maqedoni

Ka shkuar në 16 numri i personave të arrestuar si të dyshuar për sulmin terrorist në Vjenë të Austrisë mbrëmjen e së hënës. Përveç disa qyteteve në Austri, autoritetet në Zvicër njoftojnë se kanë privuar nga liria dy persona, një 18 dhe një 24 vjeçar nga Vintetura të dyshuar për lidhjet e tyre me organizatorët e sulmit në Vjenë. Ndërkohë në Maqedoninë e Veriut është duke u punuar për kërkesën e Europolit lëshuar ditë më parë në Ministrinë e Brendshme. Burime nga policia bëjnë të ditur se komunikimi mes institucioneve është i vazhdueshëm dhe se po punohet për zbardhjen e lidhjeve mes shtetasve austriak me origjinë nga Maqedonia e Veriut me organizatorin e sulmit Kujtim Fejzullau nga Çellopeku i Tetovës, gjithashtu shtetas i Austrisë. Jo zyrtarisht mësohet se personat për të cilët kërkohen informacione nga policia e Maqedonisë janë persona të njohur për autoritetet në Austri mbi vepra nga natyra terroriste. Fejzullau mësohet që në vitin 2004 ka heq dorë nga shtetësia e Maqedonisë së Veriut. Për herë të fundit vendlindjen e prindërve e ka vizituar në vitin 2018 dhe më pas ka qenë në listën e të ndaluarve për frekuentim në vendin tonë. Kryeministri Zoran Zaev në një intervistë për televisionin Sitel ka deklaruar se për momentin Maqedonia e Veriut nuk rrezikohet nga element ekstremistë por se asnjë shtet nuk është imun ndaj akteve të tilla dhe se bashkëpunimi në sferën e këmbimit të informacioneve duhet patjetër të vazhdon.


Ne kishim një aksion të suksesshëm para një muaji e gjysmë. Njerëz që ishin të dënuar në disa procese si Qelia 1, 2, 3 dhe ishin kthyer nga luftërat jashtë vendit, ishin të dënuar por që kanë dal nga burgu dhe kanë vazhduar me aktivitete të tilla. E gjithë kjo tregon se as ne si Maqedoni e Veriut dhe as Austria apo ndonjë vend tjetër nuk jemi imun ndaj akteve të tilla dhe bashkëpunimet patjetër të vazhdojnë-deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.

Sulmi Në Vjenë u morr përsipër nga Shteti Islamik, ndërsa policia austriake ka bërë thirrje që qytetarët të mos lëvizin në vende të pasigurta derisa nuk përfundon aksioni që lidh çdo element me mbrëmjen e së hënës. Organet e sigurisë në Austri në analizën fillestare kanë konstatuar se të gjithë pjesëmarrësit në sulmin terrorist mund të jenë ish të dënuar për pjesëmarrje në luftërat e Lindjes së Mesme. Autoritetet kanë konfirmuar katër viktima, dy me prejardhje nga Maqedonia e Veriut, Nexhip Vranezi nga Veleshta e Strugës dhe organizatori i sulmit Kujtim Fejzullahi. Numri i personave të lënduar ka arritur në 20, 7 prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore. Ministria e Punëve të Jashtme në Maqedoni të Veriut akoma nuk ka konfirmuar numrin e personave të përfshirë në sulmin terroristë në Vjenë. Nga ky dikaster thonë shkurt se akoma nuk janë njoftuar nga përfaqësia diplomatike me arsyetimin se hetimi vazhdon se pas përfundimit do të njoftohen zyrtarisht. Ndërkohë të gjitha vendet tjera kanë konfirmuar pjesëmarrjen e shtetasve të tyre në sulm, qoftë në rolin e atentatorëve ose viktimave. Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka njoftuar se njëri nga 4 viktimat në sulmin terrorist është shtetase e tyre.

Adrian Kerimi

LEXO EDHE:

Back to top button