SHBA, garë e ngushtë mes Trampit e Bajdenit

Me 238 vota elektorale kandidati demokrat, Xho Bajdën është në epërsi të lehtë ndaj republikanit, Donald Trump i cili deri tani ka marrë 213, por fituesit të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit i duhet t’i sigurojë 270 vota elektorale. Teksa po vijon numërimi i votave dhe veçanërisht vonohet numërimi i votave me postë, mes dy kandidatëve po zhvillohet garë e ngushtë në një numër shtetesh, që njëheri pritet të jenë vendimtare. Bajdën ka epërsi në Miҫigen, Uiskons dhe Nevada, ndërsa Trump në Xhorxhia, Karolinë të Veriut dhe Pensilvani. Biden duhet të fitojë të paktën tri nga këto shtete që të fitojë garën presidenciale, ndërkaq Trump duhet të fitojë të paktën katër. Nevada pa dhënë sqarime, ndërpreu procesin deri më 5 nëntor.

Ndërkohë në mesin e shteteve që i ka fituar Bajdën janë: Maine, Arizona, Minesota, Havai, ndërsa Trump fitoi në: Teksas, Florida, Iova, Montana, Ohio.

Më herët gjatë ditës, Presidenti i deritanishëm amerikan, Donald Trump shpalli fitore “fenomenale”. Ndonëse nuk dha shumë sqarime, Trump shtoi se votat përmes postës po manipulohen dhe se duhet të ndërpritet numërimi i tyre, për çka paralajmëroi se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme.

Rezultatet sonte kanë qenë fenomenale dhe ne thjeshtë duhet të dalim e të festojmë diçka shumë të bukur. Kaq vota, kaq sukses, ky është rekord, diçka e tillë nuk ka ndodhur më parë…. Ky është mashtrim i publikut amerikan. Ne po bëheshim gati t’i fitonim këto zgjedhje dhe në fakt ne i fituam këto zgjedhje. Qëllimi ynë tani është të sigurojmë integritet për të mirën e popullit”-tha Donald Trump, Kandidat për President të SHBA-së.

E nga ana tjetër, demokratët janë të prerë se do ta pengojnë iniciativën e Trumpit për ndërprerje të procesit. Kandidati për President, Xho Bajdën tha se është herët për të shpallur fitoren, por se gjithsesi është optimist për rezultatin.

E dimë se do të zgjasë, mbase deri nesër në mëngjes e mbase edhe më shumë. Por ndjehemi mirë për atë që jemi. Dua të ju them se jemi rrugës për t’i fituar këto zgjedhje. Na duhet të kemi durim derisa të numërohet secila votë, secila kuti e votimit. Nuk më takon mua ose Trumpit të deklarojë kush i fitoi zgjedhjet, ky është vendim i popullit amerikan, por jam optimist për rezultatin”-deklaroi Xho Bajden, Kandidat për President të SHBA-së.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje presidenciale ishte rekorde, ashtu që mbi 100 milion amerikanë shfrytëzuan të drejtën e votës, në mesin e të cilëve dhjetëra miliona votuan përmes postës për t’i shmangur vendvotimet shkaku i pandemisë.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button