ASH: Kazinotë dhe bastoret të s’postohen në hotele me pesë yje
ASH: Kazinotë dhe bastoret të s’postohen në hotele me pesë yje
Gazetare: Fatlume Dervishi
Lojërat e fatit, kazinotë dhe bastoret, të vendosen vetëm në hotele me pesë yje. Kjo është nisma e Aleancës për Shqiptarët të cilën do ta dorëzojë në Kuvend, shkruan Alsat.
Kjo parti kërkon mbështetjen e partive të tjera, të ulen dhe të bisedojnë për t’i dhënë një zgjidhje kaosit me bizneset e kësaj kategorie të cilat mbijnë kudo dhe krijojnë drama familjare.
Por një nismë për ndryshimin e këtij ligji është tashmë në Kuvend. Sipas kreut të Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, nisma paraprake ligjore që supozohej të rregullojë funksionimin e lojërave të fatit e që ka ngecur prej kohësh në procedurë parlamentare, nuk është e duhura.
“Propozim-ligjin të cilin aktorët e tjerë politik dhe partitë tjera politike e kanë propozuar ka të bëjë me largimin e lojërave të fatit, kazinove 500 metra nga objektet arsimore, shkollat dhe objektet fetare por nuk mendojmë që kjo e zgjedh problemin për shkak se t’i largosh 500 metra në linjë ajrore nga ana e këtyre institucioneve do të thotë t’i çosh në institucionin më të rëndësishëm edukativ që e ka një shoqëri, dhe kjo është shtëpia”, deklaroi Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Përveç që propozon që lojërat e fatit të funksionojnë vetëm në hotelet me pesë yje, Aleanca për Shqiptarët propozon që komunat të marrin nën kompetencat e tyre reklamimin në territorin e tyre të këtyre bizneseve.
Dimensionet a e billbordeve të jenë të kufizuara me ligj.
“Për çdo metër katror që do të jetë reklama më e madhe këto mjete do të shkojnë në xhirollogari të komunës dhe do të paguhet për çdo metër katror diku rreth 200 euro të paktën. Të gjitha këto para do të shkojnë në një xhirollogari të veçantë të pushtetit lokal dhe do të duhet të shfrytëzohen ekskluzivisht për promovimin e sportit, për ndihmë të njerëzve të cilët kanë nevoja të posaçme”, tha Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Propozimi parashikon që ndryshimet të hynë në fuqi një vit pas miratimit, me qëllim që t’u jepet kohë bizneseve të përshtasin funksionimin e tyre. Sela thotë se në partinë e tij nuk ka dilema që këto biznese duhet të ndalohen tërësisht por nuk beson që kjo është e arritshme duke e pasur parasysh pozitën e partive të tjera.
Për propozimin kanë biseduar me Lëvizjen Anti-bixhoz por jo edhe me shoqatat e lojërave të fatit. /Alsat.mk








