22-vjet nga eksodi i shqiptarëve nga Kosova

Sot shënohet 22-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës në 1998-1999, rreth një milion shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

- Advertisements -

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kaluan kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra ishin zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata ishin fëmijë, gra dhe të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, në Kukës përkujtohet, e në dy vitet e fundit edhe simbolikisht prej pandemisë, kjo dramë vuajtjesh nga më të tmerrshmet që kanë përjetuar njerëzit e kësaj toke.

Eksodi, apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre, arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), transmeton KosovaPress.

Me datë 27 mars, në orën 13:20, në pikëkalimin doganorë të Morinës hynë 187 refugjatët e parë nga Kosova ku shumica ishin fëmijë dhe gra, të cilët ishin në gjendje të mjerueshme fizike dhe mendore dhe të plagosur me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit. Ata ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”.

Deri në orën 24.00 të 27.03.1999 ne Kukës mbërritën 12.721 kosovarë. Ndihmat e para ushqimore erdhën nga Ministria e Bujqësisë ku me datë 27 mars në Kukës, u dërguan kontingjente me ushqime (vaj, miell, sheqer, makarona, oriz, sapuna etj) për 2500 persona në muaj.

Me datë 28 mars vazhdoi fluksi i të ardhurve kosovarë, të dëbuar me forcë prej trojeve të tyre nga pushtuesit serbë. Numri i tyre ishte 13.000 banorë. Refugjatët kosovarë kishin hyrë nga pikëkalimi i Morinit ku edhe ishin dhunuar, torturuar, masakruar dhe zhveshur nga policët serbë, duke u marrë paratë, bizhuteritë dhe çdo send me vlerë që ato kishin

Vendstrehimi i tyre përkohshëm ishte Pallati i kulturës “Hasan Prishtina”. Më pas pushteti lokal në Kukës hapi dyert e disa mjediseve shkollore, çerdhesh, kopshtesh, magazinash dhe deposh për strehimin e të dëbuarve. Refugjatët e tjerë u strehuan në familje kuksiane ku edhe u mikpritën nga to. Mesatarisht çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 kosovarë. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

Në krye të javës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70.000 kosovarë. Nga këto 40.000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete te tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej. Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh kosovarësh strehoheshin në kampe

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

Në këtë ditë shqiptarë të Kosovës marshojnë nga pikëkalimi i Morinës dhe i afrohen qytetit të Kukësit. Para pandemisë, në Kukës çdo vit organizoheshin veprimtari të ndryshme festive ku artistë nga e gjithë Shqipëria mblidhen në Kukës duke dhënë shfaqje.

Një nga simbolet kryesore të 16 Prillit është edhe Obelisku. Kulla u ndërtua si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar. Ajo është ndërtuar në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën kosovare. Kulla është 23.5m e gjatë dhe është e mbushur me foto të cilat paraqesin ngjarjet e asaj kohe. Kulla është një nga pikat më të vizituara turistike në Kukës. Gjatë datës 16 prill kulla është pika që vizitohet me shpesh.

Ditë më parë, për të kujtuar ditët e shpërnguljes më dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99” në Han të Elezit u inaugurua monumenti “Muri i Kujtesës” si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur./Kosovapress

 

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button